Një 28-vjeçar shqiptar është gjetur i plagosur në një rrugë në Genova. Mediat italiane raportojnë se ka qenë një punonjës sigurie që ka parë të plagosurin e shtrirë përtokë, ndërsa më pas ka njoftuar policinë.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është transportuar me urgjencë në spitalin "Villa Scassi", ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën shkruan "Ansa".

I riu kishte marrë një plagë në bark dhe një në këmbë, ndërsa nuk jetonte në Genova, por kishte qenë për vizitë tek vëllai i tij. Gjatë marrjes në pyetje nga policia ai ka heshtur, ndërsa nuk ka dhënë detaje rreth ngjarjes në fjalë. Policia po heton rreth plagosjes, ndërsa po kontrollon kamerat e sigurisë në zonë për të parë nëse është regjistruar agresioni.