Një shqiptar, banues në krahinën e Comos, në Itali, është arrestuar nga policia vendase nën akuzën e trafikut të drogës. Shqiptari u arrestua pasi u kap me 6 kg kokainë, të fshehur në një fund të dyfishtë në pjesën e kabinës së një automjeti tip Golf.
Shqiptarin e tradhtoi menjëherë gjendja e tij, pasi u shfaq mjaft i shqetësuar. Njëkohësisht, makina kishte një sërë taksash të pashlyera. Ndërsa kontrolli u thellua, punonjësit e policisë vunë re se disa pjesë të tapicerisë së brendshme të makinës nuk ishin vendosur siç duhet.
Kontrollet vazhduan për disa orë, derisa fundi i dyfishtë që mund të aktivizohej me një mekanizëm të posaçëm u zbulua. Brenda ishte droga që ka një vlerë tregu prej rreth 800 mijë eurosh. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua për trafik ndërkombëtar droge dhe u dërgua në burg në Bolzano.





