Një shqiptar që trashëgoi një pasuri prej 7 milionë eurosh nga një biznesmen italian, pasi e ndihmoi dhe i qëndroi pranë deri në momentin që ndërroi jetë, sot përballet me drejtësinë italiane i akuzuar për mashtrim me testamentin.

Nuri Guga, 62 vjeç, u bë përfituesi kryesor i pasurisë që i la me testament pas vdekjes italiani Aldo Farinola. Sipas medieve italiane, shqiptari ishte kujdestari personal i italianit, me të cilin edhe u miqësua shumë.

Ndërkohë sot pas 7 vitesh, me kërkesën e vëllait të sipërmarrësit italian ka nisur një proces gjyqësor kundër shqiptarit me akuzën e “testamentit fals e pretendimin e trashëgimisë së pasurisë të Aldo Farinolas”. Sipas akuzave, rreth 15 persona dëshmojnë se pronari italian ishte i paaftë të mendonte e të arsyetonte, për shkak të sëmundjes së tij në muajt e fundit të jetës.

Pasuria e Aldo Farinolas përllogaritet rreth 7 milionë euro, ku përveç restorantit “Dëshirë në det”, i pozicionuar në portin e Brindizit, një nga lokalet më të famshme në këtë qytet, ai ka lënë trashëgimi disa shtëpi në Brindizi e Gallipoli, si dhe shuma të mëdha parash të depozituara në disa institute bankare italiane.