Një shqiptar i identifikuar si Albert Rami është vënë në pranga, pasi akuzohet për kultivim dhe trafik të lëndëve narkotike. Mediet britanike shkruajnë se Rami, është pikasur nga policia teksa qëndronte në një fabrikë kanabisi, në Durham. Sapo ka parë policinë, ai është përpjekur të dalë nga dritarja e kuzhinës, por nuk ka arritur dot.
Phillip Morley, i cili aktualisht po ndjek rastin ka treguar për mediat, se shqiptari është rrëfyer. Albert Rami mësohet të ketë thënë se është paguar 4000 paund për të ruajtur fabrikën e kanabisit dhe se këtë gjë e bënte sepse kishte nevojë për para.
Ai qëndronte në apartamentin që ishte kthyer në fabrikë kanabisi dhe thjesht ruante gjatë natës. Në dhomën e gjumit u gjetën 53 bimë qe ishin duke u rritur, ndërsa 27 të tjera u gjetën në një tjetër dhomë. Në papafingo ishin edhe 84 bimë të tjera.
Morley tha që secila nga dhomat e rritjes ishte e pajisur me sisteme ventilimi. Një ekspert i policisë vlerësoi se kjo sasi droge nëse dilte në treg kapte vlerë ne 200 mijë paundëve me pakicë.
“Kur u mor në pyetje, i pandehuri pranoi se atij i ishin ofruar 4,000 £ për t’u kujdesur për bimët dhe kishte qenë atje për rreth katër-pesë muaj. Ai ishte i vetëdijshëm se po kujdeste bimët e kanabisit. Rami nuk ka dënime të mëparshme në këtë vend dhe e pranoi akuzën duke shtuar se kishte nevojë për para,”- tha Morley.
Avokati Tony Davis e mbrojti shqiptarin, duke theksuar se në atë vend nuk kishte gjetur mbështetje dhe se ishte i ri.
“Një i ri, relativisht i ri, erdhi në këtë vend përmes Irlandës dhe hoqi dorë nga një punë në lavazh ku lante makinat në Belfast duke udhëtuar për në Angli, përmes Merseyside. S’njihte njeri,”– tha Davis.
Gjykatësi James Adkin vendosi një dënim me 27 muaj burg, duke shtuar se pas kryerjes së dënimit e priste dëbimi.





