Një shqiptar ka shpëtuar 4 të rinj italianë, të cilët u përfshinë në një aksident në San Martino, mëngjesin e sotëm, rreth orës 09.00. Katër të rinjtë ishin bllokuar brenda mjetit që u përfshi nga flakët. Mediet lokale raportojnë se i riu shqiptar me emrin Zabit dhe me banim në Cerano ishte duke shkuar për në punë kur ka parë makinën në flakë.

Ai ka zbritur nga mjeti i tij dhe është afruar për të parë nëse brenda në makinë kishte njerëz dhe konstatoi se ishin 3 djem dhe një vajzë të cilët i ka nxjerrë menjëherë jashtë, raportojnë mediat italiane. Edhe shoferët e tjerë kanë ndaluar kur kanë parë aksidentin, por në vend që të jepnin ndihmën e parë kanë bërë foto dhe video të ngjarjes.

“E pashë makinën të përfshirë nga zjarri dhe ndalova. Ishin 4 të rinj brenda, një vajzë dhe tre djem, të cilët dukeshin të tronditur, ndoshta nga tymi. I tërhoqa ata nga makina. Kjo është e vetmja gjë që duhet të bëja”, ka thënë Zabiti për mediet lokale.