14gusht 2015 – Shqiptari 22-vjeçar Martin Gjeloshi është autori i vrasjes së shtetasit rus Andrey Goncharov, 20 vjeç. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 13 gushtit në qytezën e Faenzas në provincën e Ravenës në Itali. Krimi është kryer në banesën e një miku të tyre të përbashkët me origjinë boshnjake, në një apartament në qëndër të kësaj qyteze.
Të tre sëbashku me dy të njohur të tjerë kishin lënë takim për të luajtur një ndeshje basketbolli, por para saj boshnjaku kishte ftuar miqtë në shtëpinë e tij për të luajtur me PlayStation.
Sipas postimeve të fundit në Facebook të pesë personave të pranishëm në vendngjarje, mbrëmja kishte nisur në një ambient argëtues me birra e cigare.
Vetë viktima Andrey Goncharov, kishte postuar në Facebook rreth orës 21:15 minuta, vetëm pak çaste para se të ndodhte krimi, një fotografi që verteton mbremjen argëtuese që po kalonin. Rreth orës 21:30 sipas dëshmive të fqinjëve të qytetarit boshnjak është dëgjuar një goditje e vetme arme, e cila ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të rusit 20-vjeçar Andrey Goncharov.
Shqiptari Martin Gjeloshi 22 vjeç është vetëdorëzuar në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm në komandën e Policisë së Castel Bolognese e për t’u shoqëruar më pas në selinë qëndrore të Policisë së Faenzas, ku dhe është marrë në pyetje. Vetëdorëzimi i tij është bërë pasi dhe vetë policia kishte identifikuar aurorin.
Gjatë marrjes në pyetje shqiptari Martin Gjeloshi ka deklaruar se vrasja është kryer pa dashje. Ai ka drejtuar pistoletën ndaj mikut të tij duke menduar se ishte e pambushur me plumba.
"Qe një fatalitet tragjik”, ka deklaruar shqiptari, ndaj të cilit është ekzekutuar dhe urdhëri i arrestimit për vrasje të vullnetshme. (Oranews)