Një shqiptar në Greqi ka kaluar një situatë të rrezikshme për jetën, mesditën e të shtunës, kur në rrethana ende të paqarta është pickuar nga një gjarpër.
Ngjarja ka ndodhur në kodrat rreth fshatit Protopapas, midis Kallpakit dhe Janinës.
Edhe pse i shokuar nga sulmi i gjarprit, shqiptari e ka ruajtur gjakftohtësinë dhe i ka telefonuar numrit të emergjencës së policisë.
Policëve u është dashur pak kohë që të përcaktonin vendndodhjen e saktë dhe menjëherë më pas i lënduari është marrë me një autombulancë të ndihmës së shpejtë dhe është dërguar në spitalin Haxhikosta të qytetit.
Aty po mbahet nën kujdesin e mjekëve dhe gjendja e tij shëndetësore raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Policia po vijon me hetimet rreth ngjarjes, pasi dyshohet se shqiptari mund të ketë qenë duke mbledhur bimë medicinale në momentin e pickimit.





