Një 40-vjeçare shqiptare ka rënë pre e grabitjes në Paros të Greqisë.

Gruaja ka denoncuar në polici, se persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e saj, gjatë kohës kur ajo nuk ndodhej në banesë, dhe i kanë marrë një kasafortë ku mbante bizhuteri me vlerë 100 mijë euro.

Sipas shqiptares, brenda kasafortës kishte 3,000 €, një orë Rolex  me vlerë 50,000 €, një palë vathë diamanti prej ari të bardhë me vlerë 20,000 €, një unazë martese ari me diamante të vogla rreth 2,000 € dhe një unazë ari i bardhë 6 karat me një diamant të verdhë me vlerë rreth 23,000 €.

Gruaja ka bërë padi në polici ndaj një autori, i cili ende nuk është identifikuar.

Autoritetet helene po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorit.