Një këngëtare shqiptare është akuzuar se ka “vjedhur” këngën e kantautorit grek Pandelis Pandelidis. Ky i fundit ndërroi jetë para dy vitesh në një aksident automobilistik.

Ndërkohë mediat greke kanë publikuar dy videoklipet, të këngës së Tringa Key të titulluar “I huaj” që ka ngjashmëri të plotë me atë greke  “Lioma sto gremo” – “I dehur në greminë”.

Gjithashtu mediat greke shkruajnë se bëhet fjalë për një “vjedhje të paskrupullt”.

Televizioni “Alpha” është shprehur se familja e këngëtarit të vdekur ka angazhuar një avokat për ta ndjekur penalisht çështjen.

Edhe pse pati një karrierë mjaft të shkurtër, Pandelis Pandelidis u shndërrua në një simbol, sidomos për publikun e ri në moshë. Ai u nda nga jeta në shkurt 2016, kur fuoristrada që ai e drejtonte nën ndikimin e alkoolit, doli nga rruga dhe u përplas me barrierat metalike.