Australi, 12 maj 2014 – Gazeta “Herald Sun” e Melburnit, në Australi, botoi një artikull interesant për shqiptaren më të moçme në kontinentin e largët. Lutfije Memishi festoi 100 vjetorin e lindjes në lagjen periferike të Melburnit “Altona Medows”. Sot Lutfija ka 3 fëmijë, 14 nipër dhe mbesa, 31 stërnipër e stërmbesa si edhe 7 stër, stër nipër e stër, stër mbesa!

Lutfija, e cila ka lindur në 16 prill të vitit 1914, erdhi në Australi (në Melburn) në  qershor 1964. Ajo dhe i vëllai u morën për vite me rradhë me biznesin imobiliar, shitblerjen e pasurive të patundshme.  Mbesa e Lutfijes, Bali Kastrati, kujton se gjyshe Lutfija kishte qef të gatuante, të punonte në kopësht dhe kishte pasion qepjen e rrobave dhe qëndisjen.

Edhe sot kur është 100 vjeçe, ajo, e mbajtur për krahu nga i biri, del në kopësht për të mbledhur domate e kastravecë të freskët. Nënë Lutfija i la trashëgim familjes edhe dëshirën për të gatuar e shijuar gjellë tipike shqiptare si pitja, bakllavaja, kosi me qumësht natyral etj.

Lutfija, gjithashtu deri vonë frekuentonte  “Shoqërinë islamike australiano-shqiptare” si edhe xhaminë në qytezën Carlton për të kryer lutjen e Xhumasë.

Megjithëse i përket besimit mysliman, për shumë nga ata që e njohin, Lutfije Memishi është Nënë Tereza e komunitetit shqiptar në Melburn.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/