New York, 16 Qershor 2013 – Tubim kundër Berishës në New York, Kokalari fton shqiptarët të votojnë për alternativat e tjera duke nisur nga AK, Topi dhe në fund Rama. Zgjedhjet 2013 kanë përfshirë gjerësisht edhe shqiptarët e diasporës të cilët gjatë këtij muaji kanë organizuar tubime në mbështetje të ndryshimit apo rilindjes shqiptare. Përpara Misionit Shqiptar në OKB, në Manhatan shqiptarë të Amerikës janë përfshirë në një tubim kundër Berishës dhe qeverisjes së tij. Në një deklaratë të dhënë nga zyrat e organizatës së Shqiptarëve për një Shqipëri Demokratike (ADA) u njoftua se shqiptaret e Amerikes u bashkuan me ADA-n më 15 qershor në New York për të protestuar kundër qeverisë së korruptuar dhe autoritare të Sali Berishës. Demonstrata u mbajt në Manhattan përpara Misionit Shqiptar në OKB, në rrugën 79.
Gary Kokalari, themeluesi i organizates ADA dhe një aktivist i njohur shqiptaro-amerikan në fjalën e tij dha dhe informacione mbi shkeljen e ligjit nga qeveria e Berishës për të privatizuar Albpetrolin.
„ARMO, ALBPETROL, ALBTELECOM, Gërdec, 21 janari, AEY, Fatmir Mediu, Lulzim Basha, Damir Fazllic, Mihal Delijorgji, Shkëlzen Berisha, Argita Berisha. Çfarë kanë të përbashkët të gjithë këta? Janë simbole të korrupsionit, shkatërrimit dhe regjimit autoritar të Sali Berishës. Ata janë gjithashtu simbole të premtimeve dhe ëndrrave të thyera.” Me këto fjalë e ka nisur fjalimin e tij Kokalari, duke theksuar se kryeministri Berisha nuk arriti të mbajë premtimin kryesor të vitit 2005, atë të fshirjes së korrupsionit në vend. Pas 5 dekadash në terr, kur shqiptarët u çliruan nga regjimi brutal komunist i Enver Hoxhës patën pritshmëri të mëdha ndaj demokracisë, zhvillimit të saj. “Për fat të keq u udhëhoqën nga profetë falsë dhe Berisha është kryesori në bllokimin e progresit të Shqipërisë si një demokraci legjitime. Fjala e tij nuk vihet në pikëpyetje. Ai ndëshkon këdo që i kundërvihet… Ende dua t’ju kujtoj çfarë i ndodhi shokut tim Kosta Trebicka me të cilin punova për të zbardhur skandalin e kompanisë AEY. Ndërsa shumica e shqiptarëve kanë vështirësi të sigurojnë ushqimin e përditshëm, Berisha ushqen njerëzit dhe familjen e tij me pronat shtetërore. Ai është përgjegjës për shndërrimin e konceptit të sundimit të ligjit në ligj të xhunglës.
Kjo nuk është Shqipëria e projektuar nga Ismail Qemali a Fan Noli. Nuk është ajo që Musine Kokalari parashihte teksa bënte avokaten e demokracisë në vend.
Si një shembull tipik të korrupsionit të Berishës, unë kam këtu buletinin #133 që është botuar nga Qeveria Shqiptare më 12 tetor 2012. Ky dokument përfaqëson argumentin e Berishës për t’i dhuruar tenderin e Albpetrolit, mikut të tij, Rezart Taçi. Ky dokument përshkruan se si Vetro Silk Road u financua nga Mathew Roszak, një biznesmen nga Çikago, i cili në realitet ishte një njeri që i hapi rrugën Taçit. Në paragrafin 12 të këtij dokumenti flitet dhe për garancinë bankare… Ky dokument është i nënshkruar nga Sali Berisha, si kryeministër.
Kam një kopje të emailit drejtuar Frank Wisner të “Patton Boggs” shkruar një muaj para botimit të buletinit #133. Në këtë email e paralajmëroja Wisner-in se besoja që Vetro ishte një organizatë e dyshimtë. Gjithashtu i kam dhënë informacion mbi akuzat e ngritura nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit kundër Matheë Roszak për tregtinë e brendshme dhe që përbën një vepër penale në SHBA. I shpjegova Wisner-it se nuk besoja që American Chartered Bank nuk ishte e aftë financiarisht të lëshonte si garanci 85 milion euro.
Në përfundim mund t’ju them se John Purtill, jurist i American Chartered Bank në lidhje me vlefshmërinë e garancisë bankare për marrëveshjen e Albpetrolit shkruan se Banka nuk është përfshirë në këtë transaksion. Në fund të fundit e gjithë kjo marrëveshje ishte një mashtrim gjigant i qeverisë Berisha.
Mendoj se ka dy arsye që ia doli mbanë me këtë mashtrim: ose ai mendon se Shqipëria është e mbushur me budallenj, ose thjesht nuk i intereson çfarë mendojnë të tjerët, sepse ai ka guximin të bëjë ç’të dojë duke ndjekur stilin e vërtetë diktatorial. Ashtu siç bëri kur zëvendësoi një zyrtar kyç të KQZ-së me një kukull, marionetë të vetën, një lolo të partisë së Fatmir Mediut, të atij Fatmir Mediu që solli Gërdecin dhe AEY-në.“
Më tej, Kokalari ka prezantuar të kaluarën e tij dhe lidhjen e fortë me Shqipërinë, si dhe kontributet e dhëna për vendin, përfshirë dhe lobimin për pavarësinë e Kosovës, ndërsa me tone kritike ka ftuar shqiptarët të votojnë për alternativa të tjera politike duke i dhënë fund sundimit të një diktatori, që, sipas tij, e ka vendin në burg.
“Si një përfaqësues i tre brezave të shqiptaro-amerikanëve që kanë një passion, angazhim të madh për çështjet shqiptare mendoj se njoh mirë mënyrën si duhet të funksionojë një demokraci e vërtetë.
Jam këtu për t’u thënë shqiptarëve se një votë për Berishën është një votë për të kthyer pas demokracinë dhe shqiptarët e kanë konstatuar këtë dhe janë lodhur nga diktatorët. Shqiptarët e pësuan mjaftueshëm nga Enver Hoxha dhe nuk duan një Enver Berisha.
Ka zgjedhje të tjera në këto zgjedhje. Keni Kuq e Zinjtë e Spahiut dhe nëse nuk ju pëlqejnë ata keni partinë e Topit dhe nëse nuk ju pëlqen Topi keni koalicionin e Edi Ramës. Nuk është puna jonë të tregojmë për kë duhet të votojnë shqiptarët, po kur sinjalet e instalimit të një sistemi totalitar ndizen, kur shohim se sundimi i ligjit është në realitet ligj xhungle, atëherë shqiptaro-amerikanët që janë krenarë që janë shqiptarë dhe i dinë mundësitë e mëdha të Shqipërisë, e ndjejnë për detyrë dhe të drejtë të ngrenë zërin. Ashtu si atëherë kur folëm qartë kundër Sllobodan Milosheviçit. Isha një prej atyre që lobuan për të ndihmuar në bombardimin e NATOs për të hequr Miloshevicin nga pushteti në Kosovë dhe çuar atë në Hagë. Tani është koha të çojmë Berishën atje ku e meriton, në burg. Berisha është hajdut, është një dictator dhe për diktatorët nuk ka vend në demokraci.
Është koha që Berisha të ikë! Është koha për ndryshim! Poshtë Enver Berisha!”– ka përfunduar fjalën e tij Kokalari.
/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





