·        Në degët e Durrësit, Korçës, Fierit, Shkodrës, Vlorës dhe Beratit ka pasur përplasje mes atyre që konsiderohen si të “përkëdhelurit” e kreut demokrat Lulzim Basha dhe pjesës tjetër që ose kanë mbështetjen e deputetëve të vjetër të PD-së ose konsiderohen si qëndrestarët e kësaj partie në këto struktura

DURRËS, 2 qershor 2014 –  Përplasjet më evidente brenda opozitës, të paktën deri në fazën e tanishme të procesit të zgjedhjeve në PD, janë evidentuar në Durrës dhe Korçë, për të cilat nuk kanë munguar edhe komentet apo fyerjet mes palëve në rrjetet sociale, shkruan e përditshmja “TemA”.

Gazeta e publicistit Mero Baze shkruan se shtyhet procesi i zgjedhjeve në Partinë Demokratike i parashikuar për t’u zhvilluar në qershor, duket se Kuvendi Kombëtar i partisë më të madhe opozitare, ku do të miratohen ndryshimet në statut dhe do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar, do të mbahet në vjeshtë. 

Në këtë mënyrë PD do të vijojë të funksionojë, të paktën, edhe për 3 muaj, me një Kryesi, anëtarët e së cilës janë pa mandat, dhe me një Këshill Kombëtar, forumi më i lartë mes dy Kuvendeve Kombëtare, inekzistent.

Sipas kësaj gazete print, udhëzimi i Kryetarit të PD-së Lulëzim Basha që u ndalon hyrjen në garë për postin e kryetarit të degës të zgjedhurve vendorë, deputetëve, kryetarëve që në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 kanë arritur një rezultat më të dobët sesa zgjedhjet e mëparshme, kanë prodhuar debate jo vetëm në bazë, por edhe në qendër.

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike kanë prodhuar jo pak përplasje në bazën e kësaj partie.

TemA citon burime nga SHQUP-i (selia qendrore e PD-së në ish-Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore) që konfirmojnë se në degët e Durrësit, Korçës, Fierit, Shkodrës, Vlorës dhe Beratit ka pasur përplasje mes atyre që konsiderohen si të “përkëdhelurit” e kreut demokrat Lulzim Basha dhe pjesës tjetër që ose kanë mbështetjen e deputetëve të vjetër të PD-së ose konsiderohen si qëndrestarët e kësaj partie në këto struktura.

Përplasjet më evidente, të paktën deri në fazën e tanishme të procesit, janë evidentuar në Durrës dhe Korçë, për të cilat nuk kanë munguar edhe komentet apo fyerjet mes palëve në rrjetet sociale.

Edhe deklarata e bërë nga Basha në një prej grupseksioneve të PD në Durrës që gjithçka do të vendoset nga anëtarësia duket se nuk ka dhënë rezultat dhe është parë me skepticizëm në radhët e demokratëve

Po kështu në jo pak raste edhe koordinatorët e caktuar për monitorimin e procesit organizativ të PD-së [në degën bregdetare është ish-kryedoganieri i Durrësit, aktualisht shef i thesarit të SHQUP-it] kanë prodhuar jo pak debate për shkak të pozicionimeve të tyre në krah të kandidatëve që konsiderohen si të paracaktuar për drejtimin e degëve të PD në rrethe.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/