Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur aksionin për ndërprerjen e kontratave të furnizimit me të gjitha subjektet që fuksionojnë si lavazhe.
Bazuar në VKM dhe urdhrin e brendshëm të shoqërisë, nga dita e djeshme njësia Task Forcë pranë kësaj shoqërie ka nisur në terren ndërprerjen e furnizimit me ujë për lavazhet. Drejtori i kësaj njësie Julian Beshiri thotë se nga ky moment asnjë subjekt lavazh nuk do të marrë ujë nga rrjeti, por mund të përdorë ujin e puseve për një aktivitet të tillë.
Paraprakisht janë njoftuar afro një muaj më parë të gjithë subjektet që përdorin ujin e pijshëm për larjen e automjeteve, se nuk do të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin, nëse vijojnë të tentojnë të furnizohen me ujë nga rrjeti.
“Lavazhet që nuk kanë puse duhet të marrin leje për hapjen e tyre tek Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në Tiranë si dhe drejtoria e Higjenës në nivel lokal”,– thotë Julian Beshiri, drejtor i njësisë Task Force pranë SHRUKD.
Akisoni do të shtrihet në gjithë zonën që shoqëria rajonale e ujësjellësit mbulon me shërbim si Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Shijak dhe Krujë.
Në këtë zonë ka afro 300 subjekte që funksionojnë si lavazhe për larjen e automjeteve. Vendimi për ndërprerjen e furnizimit me ujë për lavazhet është bërë për të menaxhuar më mirë burimet ujore dhe furnizimin më të mirë të popullatës.





