Vetëm pak kohë më parë, Ujësjellësi i Durrësit shihej si një ndërmarrje e falimentuar, me borxhe të shumta dhe pamundësi për të mbuluar shpenzimet e energjisë. Sot, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) renditet e para në nivel kombëtar për performancën financiare dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Ky transformim është një model suksesi që tregon fuqinë e reformës dhe menaxhimit të përgjegjshëm.

Nga kriza në ringritje
Në janar 2023, kur nisi reforma e ujësjellësave në të gjithë vendin, duke i reduktuar ato nga 58 në 15 shoqëri rajonale, Ujësjellësi i Durrësit u zgjerua duke përfshirë edhe Kavajën, Rrogozhinën dhe Krujën, çka solli edhe barrën e detyrimeve të prapambetura.
Në maj 2024, drejtimin e SHRUKD e mori inxhinieri Sedi Çaushi, i cili nisi një proces të thellë transformimi, task-forca për kontrolle, riorganizim të stafit, vendosje të standardeve të reja në menaxhim. Brenda pak muajsh, rezultatet nisën të ishin të prekshme.

Treguesit statistikorë:
Të dhënat flasin vetë.
• Faturimi maj–korrik 2023: 398 milion lekë.
• Faturimi maj–korrik 2025: 541 milion lekë, pra 36% më i lartë.
• Arkëtimet u rritën me 24%.
• Në vitin 2024 u arrit të likuidohej pothuajse 100% e faturës së energjisë elektrike.
• SHRUKD ka shlyer mbi 170 milion lekë detyrime të mbartura ndër vite.
• Ka ulur me 70% borxhet ndaj kreditorëve.
• Ka derdhur në buxhetin e Bashkisë Durrës rreth 749 milion lekë nga faturat e ujit, pa marrë asnjë subvencion nga shteti.

Investimet që sollën ndryshim
• Spitallë–Porto Romano: 74 km rrjet i ri ujësjellësi, depo 2000 m³ dhe 2500 matësa inteligjentë, duke garantuar furnizim 24 orë me ujë.
• Karroqerre, Shijak: 28 km rrjet i ri, 1630 matësa dhe furnizim të pandërprerë.
• Pastrim dhe ndërtim pusësh të reja në Çermë, Fushë-Krujë dhe zona të tjera.
• Përmirësim i furnizimit me ujë për 48 mijë banorë në Durrës.

Sfidat dhe projektet
Në horizont janë investime edhe më të mëdha. Falë marrëveshjes me Agjencinë Franceze për Zhvillim (62 milion euro), pritet rikonstruksioni i rrjetit kryesor të furnizimit me ujë në Durrës, me objektiv 24 orë ujë për 168 mijë banorë dhe ulje të humbjeve në rrjet nga 70% në 20–30%.

Paralelisht, do të hartohet masterplani i kanalizimeve, ndërsa SHRUKD po investon vetë në përmirësimin e stacioneve të pompimit dhe burimeve ekzistuese.

E gjithë performanca e SHRUKD është një dëshmi se si menaxhimi transparent, vendimet e guximshme dhe investimet e mirëorientuara mund të kthejnë një ndërmarrje problematike në model suksesi. Sfida mbetet e madhe: sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë dhe përballimi i rritjes së popullsisë e turizmit. Por hapat e hedhur tregojnë se transformimi i nisur është i pakthyeshëm./Monitor