Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) ka nisur punën për vënien në funksion të plotë të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të Qerretit, Kavajë. Ky impiant është marrë në dorëzim në janar të këtij viti nga SHRUKD dhe ka kapacitet përpunimi për një popullsi prej 125 mijë banorësh (qyteti Kavajë si dhe zona turistike Qerret, Mali i Robit, Golem).
Aktualisht po punohet për pastrimin e pusetave në hyrje të impiantit në mënyrë që të vihet në punë stacioni i pranimit, i cili është pika e parë e pranimit të ujërave të ndotura. Gjithashtu, punonjësit e impiantit po merren edhe me pastrimin e pusetës së shpërndarjes së pondeve anaerobike.
Stafi i SHRUKD është përqendruar edhe në punën për vënien në punë të laboratorit, ndërkohë që së fundmi është zhvilluar edhe dëgjesa publike me banorët e zonës për pajisjen e këtij impianti me leje mjedisore.
Po bëhen përpjekje që impianti të rikthehet në normalitet dhe objektivi është që impianti i Qerretit të funksionojë normalisht në fillim të sezonit turistik, ashtu si dy impiantet e tjera që menaxhon shoqëria në Durrës dhe Hamallaj. Qëllimi është që ujërat që shkarkohen në bregdetin e Qerretit të jenë tërësisht të pastra në mënyrë që të mbrojmë mjedisin dhe ekosistemin e zonës turistike.





