12 viktima! Ky është bilanci i hidhur i “shtatorit të zi” në Suedi.
Dhuna e bandave ka shpërthyer sërish. Së fundmi një 18 vjeçar u vra në një qendër sportive në jug të Stokholmit, në një kohë që aty po trajnoheshin fëmijët. Jo vetëm viktimat, edhe autorët e krimeve po bëhen gjithnjë e më të rinj, është shprehur kreu i Policisë Suedeze, Anders Thornberg. “Kriminelët janë pa skrupuj. Ata rekrutojnë në shumë raste adoleshentë që armatosen dhe dërgohen me porosi tek persona dhe adresa të caktuara.” Krminaliteti i rëndë po kryhet nga gjithnjë e më shumë të rinj. “Ky zhvillim është tejet shqetësues”, sipas Thornberg. Ka madje minorenë, “që marrin kontakt me rrjete të tilla për të vrarë.”
Mbështetje nga ushtria
Pas valës së re të dhunës që ka shpërthyer mes bandave qëndron një rrjet kriminal me emrin Foxtrott. Qindra persona janë të rrezikuar, sipas policisë suedeze, e efektivët e policisë nuk mund të jenë gjithkund. Tani do të ndihmojë ushtria. “Do të bëhet fjalë për të ndihmuar policinë me personel dhe pajisje, specialistë dhe kapacitete analize”, është shprehur ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer. Ushtria do të ndihmojë “që bandat kriminale të shenjohen, të dihet si të veprohet me materiale shpërthyese, tek hetimet teknike apo ofrimi i helikopterëve. Se si do të organizohet kjo ndihmë varet nga nevojat e policisë suedeze.
Problemi nuk është i ri
Prej kohësh Suedia lufton kundër kriminalitetit të bandave. Shpesh policia dhe qeveria duken të pafuqishme. Në të gjithë Suedinë llogariten deri në 30.000 anëtarë bandash, sipas të dhënave, në një vend me rreth 10 milionë banorë. Jo të gjitha rastet zbardhen.
Ish drejtuesja e policisë për provincën Gotland, Carin Götblad, që para 13 vjetësh kishte paralajmëruar, se të rinjtë po tërhiqen nga bandat kriminale. Atë kohë Suedia mund ta parandalonte këtë, thotë Götblad. “Kjo nuk është e habitshme tani. Ka pasur shumë faktorë rreziku, ku mund të kishte pasur më shumë vëmendje dhe të kishim reaguar”, kritikon ajo. “Kjo nuk ka ndodhur në mënyrë të mjaftueshme.” Kurse kreu i Policisë Suedeue, Thornberg nuk e shikon përgjegjësinë vetëm tek policia. “Ajo që nuk rritet me të njëjtim ritëm si kriminaliteti janë mjetet për shkollat, kopshtet dhe shërbimet sociale”, ka kritikuar ai në një intervistë të mëparshme për ARD. “Njerëzit e mi aty në terren shkruajnë qindra njoftime përditë tek autoritetet sociale për të rinj, që nuk i kanë punët mirë. Për ata, ku ne e dimë, që këta minorenë do të bëhen kriminelë, nëse nuk ndërhyn kush”, u shpreh atëherë Thornberg, duke theksuar, se “e gjithë shoqëria duhet të ndihmojë.”
Qeveria konservatore i ka shpallur luftë kriminalitetit të bandave, por deri tani ajo nuk mundur ta ndalte dhunën. Kryeministri suedez, Ulf Kristersson në një fjalim të fundit drejtuar kombit u betua se “ne do t’i ndjekim bandat dhe ne do të fitojmë mbi bandat”./DW