KORCE, 9 prill 2013– Portreti i aktores Violeta Manushi po përjetësohet në një shtatore e cila do të vendoset në fshatin Tushemisht të Pogradecit, aty ku aktorja spikati me rolet e saj në filmat "Zonja nga Qyteti" dhe "Shoqja nga Fshati".
Me propozim të kryetarit të Komunës Bucimas, dy skulptorët Vasillaq Kolevica dhe Vaskë Spahia kanë punuar portretin e aktores i cili pritet të derdhet në bronx deri në 15 prill për t'u vendosur më pas në qendër të fshatit deri në 15 maj.
"Ishte një ide shumë demokratike. Një figurë e kësaj natyre nuk ishte përfaqësuar në anën e skulpturës. Shtatorja do të vendoset në mes të fshatit Tushemisht, aty ku është xhiruar filmi i famshëm i Teta Ollgës"- thotë Kolevica.
Skulptorët tregojnë se nuk ka qenë shumë e vështirë për ndërtimin e portretit të aktores Manushi, pasi çdo gjë është udhëhequr nga karakteri i saj i krijuar tek filmat e xhiruar në Tushemisht.
"Personazhi kërkon një hulumtin mbi figurën e saj, mbi shenjat që ka lënë ajo, kërkimin fizik të saj, kërkimin shpirtëror të saj. Një punë për të cilën ne na është lënë koha e mjaftueshme të punojmë dhe të propozojmë disa bocete"- thotë Spahia.
Violeta Manushi lindi më 6 mars të vitit 1926, në Voskopojë të Korçës dhe ndërroi jetë më 7 korrik të vitit 2007. Ajo ishte një nga ikonat e Teatrit Popullor, ndër të parat aktore që ka shkëlqyer njësoj si në komedi, ashtu edhe në dramë, si në skenë ashtu edhe në kinematografi. Gjatë karrierës së saj realizoi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Interpretimi i fundit i aktores së madhe ka qenë tek tragji-komedia, "Streha e të Harruarve" e Ruzhdi Pulahës.





