Shtatori pritet të sjellë furtunën në administratën shtetërore. Edhe pse në 25 prill, Partia Socialiste u mandatua nga qytetarët shqiptarë për të drejtuar qeverinë edhe për një mandat të tretë, kryeministri Edi Rama vijon të jetë i pakënaqur me punën e të tijve, ku administrata vijon të konsiderohet si “patatja e nxehtë”.
Pas urdhrit të kryeministrit Rama për reformë të administratës, kanë nisur lëvizjet e para. Sipas informacioneve nga selia rozë, degët e PS kanë nisur të “spiunojnë” tek shefi i qeverisë për drejtorët e administratës shtetërore që kanë dështuar të përmbushin objektivat e vendosura nga i pari i ekzekutivit.
Në këtë kontekst, mësohet se disa degë socialiste në vend, i kanë dërguar zotit Rama dosje me emrat e drejtorëve dhe zyrtarëve të administratës që janë arrogantë dhe nuk kanë performancë, që sipas krerëve lokalë të Partisë Socialiste, duhet të shkarkohen nga detyra. Mësohet se këto të dhëna degët i kanë bazuar edhe në bazë të ankesave të qytetarëve dhe anëtarëve të thjeshtë të PS, që në raste të caktuara, kur kanë trokitur në zyrat e shtetit janë përballur me arrogancë dhe nuk kanë marrë shërbimin e kërkuara.
Kështu që nisur nga këto shqetësime në rritje të qytetarëve dhe pas vendosmërisë së kryeministrit Rama për të reformuar administratën, disa nga degët socialiste i kanë çuar në zyrë listën me drejtorët që nuk duhet të jenë më pjesë e administratës shtetërore. Nga ana tjetër, mësohet se në degët e PS gjatë këtyre ditëve, vijon diskutimi mbi analizen e zgjedhjeve, fushatën zgjedhore brenda partisë, anëtarësimet e reja, etj.
Mësohet se degëve iu është shpërndarë nga një dosje pune me statistikat e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në rang qarku, për çdo njësi në rang bashkie, për çdo qendër votimi rang njësie, kopjen e statutit dhe vendimet e Asamblesë që dolën. /SOT





