TIRANË, 15 shkurt 2013– Prokuroria e Përgjithshme ia ka përcjellë çështjen e Florie Pecit, Prokurorisë së Tiranës, e cila tashmë ka nisur një hetim. Një ditë më parë u bë publike në media letra e denoncimit që ka dërguar vëllai i studentes së mbijetuar nga aksidenti i Himarës, pranë organit të akuzës. Vajza e aksidentuar dhe që u dërgua për kurim më të specializuar mjekësor në Austri rezulton të jetë shtatzënë dhe sipas vëllait të saj Floria është përdhunuar ndërsa ishte në koma. Ndërkohë në një prononcim për mediat, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo ka deklaruar se gjendja shëndetësore e saj është e mirë.

“Organet kompetente kanë nisur një hetim. Nuk jemi ne organi kompetent që të hetojmë. Është herët për të folur, pritet përgjigja e grupit hetimor”- ka thënë Tavo. Ministri Tavo nënvizoi se organet e drejtësisë do të japin përgjigje për pretendimet e ngritura nga familja e vajzës. 

Ngjarja

Një ditë më parë vëllai i Florie Pecit denoncoi në prokurori faktin se motra e tij ësht përdhunuar gjatë kohës kur ishte në gjendje kome dhe ndodhej për kurim në Austri.

“Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florie Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur, motra ime në aksidentin e Qafës së Vioshës në Himarë pësoi dëmtime të rënda shëndetësore. Ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qendroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri  dhe për shkak të shqetësimeve të shumta specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Konceptimi i shtatzënisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën Gmunderbergut Almunster në Austri , në periudhën e rehabilitimi. Motra ime Florie Peci është përdhunuar në kushtet e spitalit ku ka qenë për kurim. Me motrën timë janë kryer marrëdhënie seksuale në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej”,- shkruhet në letrën e Gazmend Pecit drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë, Prokurorit të Përgjithshëm i ka dërguar një letër edhe deputeti socialist Taulant Balla, që si deputet i Librazhdit kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij që ai e quan krim makabër.

Zoti Balla kërkon nga kryeprokurori Llalla që të gjenden autorët, jo vetëm në Austri, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë që ishin përgjegjës për vajzën, e cila në mirëbesim nga familja iu dorëzua autoriteteve shqiptare për kurim jashtë vendit.

Vëllai i vajzës i thotë prokurorisë së aktualisht e motra është e shtruar në një maternitet në Tiranë.