Pak javë më parë, Këshilli Bashkiak Tiranë ka miratuar një vendim për kontrollin dhe licencimin e “Shtëpive Funerale”, ku janë përcaktuar rregulla strikte për kushtet, që duhet të plotësojnë në mënyrë që të licencohen.

Në rregullore saktësohet që nuk do të lejohet që një hapësirë e tillë të jetë në pallate banimi, siç kanë funksionuar deri më tani.

Ndërkohë në Durrës është ndërtuar tashmë dhe është funksionale një “Shtëpi Funerale”, e cila plotëson të gjitha dispozitat ligjore në fuqi.

Bashkim Leba e projektoi godinën 3-katëshe që të ishte në funksion të të gjitha shërbimeve funerale, që i ofrohen personit të sapondarë nga jeta.

“Këtu kam marrë një ndërtesë të vjetër. E nisa nga e para. Këtu kanë qenë ferra. Kam plotësuar të gjitha kriteret e ligjit që është në fuqi. Jam pajisur me të gjitha lejet e ndërtimit. Po ta shihni në letër është shkruar godinë shërbimi dhe banimi “Home funeral”.

“Duhet të jenë disa kritere bazë, të plotësohen kushtet teknike, që ligji e përcakton qartë. Mundësisht jo në vende të papërshtatshme si nëpër bodrume, nëpër hyrje pallatesh sepse ka dhe fëmijë, ka edhe pleq. Ndërsa kjo godina që kam bërë unë i përmban të gjitha kushtet që parashikon ligji që është në fuqi”.

Me një parkim të bollshëm, ku mund të parkohen 20 automjete, me 2 salla pritjeje për çdo kat, dhomë përgatitjeje të të ndjerit/ës, dhomë frigoriferike dhe ambiente, ku familjarët mund të konsumojnë diçka të shpejtë, tualete etj, “Shtëpia funerale Leba” është e hapur edhe për agjencitë e tjera funerale në qytet, që duan të marrin me qira ambientet.

Prej disa dekadash tashmë që merret me këtë profesion, që siç rrëfen edhe vetë e nisi për të bërë disa gjeste humanitare, Bashkim Leba sot ka ndërtuar një godinë shumëfunksionale, e gjitha e dedikuar shërbimeve të fundit që i rezervohen personit të ndarë nga jeta. Në traditën tonë shekullore, respekti ndaj të vdekurit është i shenjtë, por e rëndësishme është para së gjithash të respektohen të gjallët.

“Ne i respektojmë njerëzit, kur ndodhin këto fatkeqësi, por mirë është që njerëzit  të respektohen sa janë gjallë”,– thotë ai.

E pozicionuar në lagjen nr.6, në Durrës, agjenci funerale “Leba” ofron transportin funeral brenda dhe jashtë vendit. Një shërbim i rregullt, i kualifikuar dhe i kujdesshëm, konform kërkesave të familjarëve që po kalojnë një moment të vështirë, është parimi bazë i punës së kësaj agjencie.