28gusht 2015 – Jetë të “ngjashme” me bosin kolumbian të drogës, Pablo Eskobar, ka bërë disa javë Nezir Kryeziu, nga Suhareka, shkruan sot Koha Ditore.

Ka ndërtuar një “shtëpi” private brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ngjashëm siç kishte bërë Eskobar, kur kishte ndërtuar një burg special për t’i kaluar pesë vjet dënim.

Derisa kolumbiani famëkeq kishte marrëveshje me Qeverinë e vendit të tij që ta kryente dënimin ashtu siç donte ai vetë, Kryeziu një ujdi të ngjashme kishte me zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kryeziu, i dënuar me dhjetë vjet për vrasje dhe vrasje në tentativë, është njëri prej të dënuarve më të privilegjuar. Ai nuk e ka “vuajtur” dënimin si të tjerët, por ka qëndruar pa mbikëqyrje dhe pa mbyllje 24 orë. Bile, adaptimin e një depoje në dhomë banimi dhe zyrë pune e ka bërë një firmë private e një gardiani të Burgut të Prizrenit.

Gjithë ky zhvillim infrastrukturor ka ndodhur me lejen e drejtorit, Ilir Gutaj.

Gutaj është bashkëshorti i deputetes së PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Luljeta Veselaj – Gutaj. “Koha Ditore” ka hulumtuar prej disa ditësh këtë skandal dhe shumë të tjera në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ka kërkuar leje për qasje në Burgun e Prizrenit, por nuk i është lejuar. Kur zyrtarët kanë marrë vesh se gazeta po hulumtonte, kanë nisur masat ndëshkimore.