GJENEVE, 12 mars 2013 – Ajo që duhet të ishte një rezidencë universitare në shërbim të studentëve ishte kthyer në shtëpi publike. Prej disa kohësh, studentëve të universitetit të Gjenevës në Zvicër u kishin rënë në sy një mori automjetesh të shtrenjta që ndalonin në rezidencën universitare Epinettes. Pas disa hetimeve të zhvilluara nga policia zviceriane u zbulua se ambientet që duhet të përdoreshin për studentët ishin kthyer në një “strehë” për prostitutat.

Një nga studentet që i ka rënë në sy ky fakt i çuditshëm tregon për Rue89 se vajzat që kishte parë të hynin aty nuk dukeshin si studente, pasi ishin më të mëdha në moshë. “Kam parë dhe burra, madje të moshuar të futeshin aty me të shpejtë, pa e kthyer kokën pas. Ata e mbanin gjatë gjithë kohës muzikën shumë të lartë. Nuk mund të flinim dhe as të studionim. Një natë zbrita për t’u tërhequr vëmendjen, por derën ma hapi një vajzë vetëm me të brendshme. Aty kuptova se për çfarë bëhej fjalë”,- thotë studentja.

Sipas hetimeve të policisë zviceriane, ndërtesa ishte në pronësi të fondacionit FULE dhe ishte ngritur për t’u ofruar strehim studentëve. Por disa vite më parë fondacioni kishte vendosur që një pjesë të ndërtesës t’ia jepte një një biznesi privat që do të ngrinte aty një qendër masazhi.

Qendra e masazhit u kthye në sallon bukurie dhe më pas në bordello. “Ndihemi të marrë nëpërkëmbë”,- ka thënë zv/rektori Luc Veuthey. “Nuk është e drejtë t’i lejosh studentët të bashkëjetojnë me një qendër masazhi”,- përfundon ai deklaratën e tij.