Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë kontrollin e Groenlandës përbëjnë qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane, duke hedhur poshtë mundësinë e një konflikti ushtarak për ishullin arktik.
I pyetur nga CNN nëse Uashingtoni do të përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën, Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit të presidentit amerikan Donald Trump, tha se ”askush nuk do të luftojë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e Groenlandës”.
Ai shtoi se ishulli duhet të jetë pjesë e SHBA-së dhe se Trump e ka bërë të qartë këtë qëndrim që nga fillimi i mandatit të tij, gati një vit më parë.
Sipas Miller, si fuqia kryesore ushtarake e NATO-s, SHBA-ja ka nevojë për kontroll mbi Groenlandën për të garantuar sigurinë e rajonit Arktik.
Miller vuri gjithashtu në dyshim sovranitetin e Danimarkës mbi territorin, duke pyetur mbi çfarë baze ligjore Groenlanda i përket Danimarkës dhe pse ishulli duhet të mbetet një ”koloni e Danimarkës”.
Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon autonomi të gjerë dhe nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.
Ajo ka rëndësi strategjike për shkak të pasurive të saj me lëndë të para dhe rolit si bazë për kontrollin ushtarak të Arktikut.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja duhet të kontrollojë Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare, një qëndrim që e përsëriti edhe gjatë fundjavës.
Të shtunën, një postim në rrjetet sociale nga ish-këshilltarja qeveritare Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller, shfaqi një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan dhe fjalën ”Së shpejti”.
Danimarka, vendet nordike, Britania e Madhe , Gjermania dhe Bashkimi Evropian i hodhën poshtë dje pretendimet amerikane.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se kërcënimet e Trump duhet të merren seriozisht dhe paralajmëroi se, nëse SHBA-ja zgjedh të sulmojë një vend të NATO-s, ”gjithçka ndalet”.





