Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur të drejtën e kombëtares së Argjentinës për lirinë e shprehjes, pasi futbollistët shfaqën një pankartë në mbështetje të pretendimit territorial të vendit të tyre mbi Ishujt Falkland gjatë festimeve pas fitores ndaj Anglisë në Kupën e Botës.
Megjithatë, incidenti mund t’i kushtojë shtrenjtë Argjentinës, pasi FIFA po shqyrton mundësinë e hapjes së një procedure disiplinore për shkelje të rregullave që ndalojnë deklaratat politike në aktivitetet sportive.
Duke folur për mediat, drejtuesi i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, Andrew Giuliani, tha se në Shtetet e Bashkuara sportistët gëzojnë të drejtën për t’u shprehur.
“Ne besojmë te liria e shprehjes e garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së. Ata kishin mundësinë dhe të drejtën të bënin ato deklarata”, u shpreh Giuliani.
Deklarata e tij pritet të shtojë edhe më shumë debatet rreth ngjarjes, ndërsa qeveria britanike ka kërkuar zyrtarisht që FIFA ta hetojë rastin.
Pas gjysmëfinales së fituar ndaj Anglisë, lojtarët argjentinas shfaqën pankartën me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”), duke iu referuar emrit që Argjentina përdor për Ishujt Falkland.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik deklaroi se: “Kupa e Botës mund të mos jetë e jona, por Ishujt Falkland janë padyshim britanikë. Angazhimi ynë ndaj Falklandeve nuk do të lëkundet kurrë.”
Qeveria britanike theksoi se vendimi për ndonjë sanksion ndaj futbollistëve i takon FIFA-s, por mbështeti kërkesën që organi qeverisës i futbollit botëror të zhvillojë një hetim.
Edhe qeveria e Ishujve Falkland reagoi, duke u shprehur “e zhgënjyer, por jo e befasuar” nga veprimi i lojtarëve argjentinas.
“Nuk duam që politika të futet në sport dhe as që ishujt tanë të përdoren si mjet politik sa herë që përballen Anglia dhe Argjentina”, thuhet në reagimin zyrtar.
Në vitin 2013, banorët e Ishujve Falkland votuan me shumicë dërrmuese për të mbetur territor britanik jashtë shtetit. Nga 1.517 vota të hedhura, 1.513 ishin në favor të këtij statusi, ndërsa vetëm tre vota kundër.
Debati u ndez edhe më tej pasi zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, publikoi në rrjetin X një mesazh ku shkruante: “Nuk ishte thjesht një ndeshje tjetër. Malvinat janë argjentinase”, duke shoqëruar postimin me një video të ushtarëve argjentinas.
Mosmarrëveshja për Ishujt Falkland daton prej dekadash dhe kulmoi në luftën e vitit 1982 mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës, konflikt 74-ditor që shkaktoi vdekjen e 255 ushtarakëve britanikë, tre civilëve nga ishujt dhe 649 ushtarëve argjentinas.





