Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar publikimin e mijërave dokumenteve për vrasjen e Presidentit John F. Kennedy. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Shtëpia e Bardhë pretendon se tashmë 97% e regjistrimeve në lidhje me këtë ngjarje janë të disponueshme publikisht. Megjithatë nuk pritet ndonjë zbulim i madh nga dokumentet, por historianët shpresojnë që të mësojnë më shumë rreth vrasësit Lee Harvey Oswald.
Kennedy u qëllua për vdekje gjatë një vizite në Dallas më 22 nëntor 1963. Një ligj në vitin 1992 detyronte qeverinë që të publikonte dokumentet për vrasjen në tetor të 2017-s.
Por Presidenti Joe Biden lëshoi të enjten një urdhër ekzekutiv duke lejuar publikimin e fundit të dokumenteve. Por ai tha se disa dosje do të mbahen të fshehta deri në qershor 2023.
Vdekja e Kennedy shkaktoi për dekada të tëra teori konspirative të ndryshme. Të enjten CIA tha se agjencia amerikane e spiunazhit “nuk e kishte angazhuar kurrë” Oswald dhe nuk ua fshehu informacionin rreth tij hetuesve amerikanë.
Historianët shpresojnë që me të dhënat e fundit të mësojnë më shumë rreth lëvizjeve të Oswald në Mexico City, ku mendohet se ka takuar një oficer të KGB-së sovjetike. Shtëpia e Bardhë tha se publikimi i dosjeve do t’i jepte publikut një kuptim më të madh të hetimeve për atentatin.





