Forcat e Koresë së Veriut po pësojnë humbje masive në vijën e parë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1000 trupa të tyre janë vrarë ose plagosur vetëm gjatë javës së fundit në rajonin Kursk të Rusisë, sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

“Është e qartë se liderët ushtarakë rusë dhe koreano-veriorë i shohin këto trupa si të shpenzueshme dhe po i urdhërojnë ata për sulme të dëshpëruara kundër mbrojtjes ukrainase”, – tha Kirby, duke e përshkruar ofensivën e trupave të Koresë së Veriut si “sulme masive të këmbësorisë”.

Kirby tha se presidenti amerikan Joe Biden ka të ngjarë të miratojë një paketë tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën në ditët në vijim.