Nga Dr. Bledar Kurti

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)

Në këtë ditë, më 13 tetor 1792 u vendos guri i themelit për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, e titulluar në fillim si Vila Ekzekutive ose Godina Presidenciale. Arkitekti i përzgjedhur ishte James Hoban, amerikan me origjinë irlandeze. Punëtorët ishin skllevër vendas, të cilëve më vonë iu bashkuan gurgdhendës të aftë nga Edinburgu, Skoci.

Presidenti i parë, George Washington nuk jetoi kurrë në Shtëpinë e Bardhë por ishte John Adams, presidenti i dytë (1797-1801), ai që u zhvendos në rezidencën presidenciale ende të papërfunduar. Në një letër drejtuar bashkëshortes së tij Adams shkroi:

“Lutem që Zoti t’i japë bekimet më të mira kësaj shtëpie dhe kujtdo që do të banojë në të. Askush, përveç Njerëzve të Ndershëm dhe të Urtë, mos drejtoftë kurrë nën këtë çati.”

Dekada më vonë, me insistimin e Presidentit Franklin Roosevelt (1933–45), ky citat u gdhend në oxhakun e dhomës zyrtare të ngrënies poshtë portretit të Abraham Lincoln.

Pavarërisht se George Washington ishte Presidenti i vetëm që nuk jetoi në Washington D.C. dhe në Shtëpinë e Bardhë, ishte ai që zgjodhi tokën dhe mbikëqyri personalisht me fanatizëm planifikimin urban të kryeqytetit amerikan. Në të gjendet përzierja më mistike e mundshme e simboleve pagane, deiste, iluministe, masonike dhe të krishtera, të cilat, parë nga sytë amatorë, nuk shpalosen si një buqetë e larmishme e harmonisë shoqërore por si një konflikt.

Sipas shumë spekullimeve, këto simbole flasin qartë që babai i këtij shteti duket se ishte pionier i riteve pagane dhe simbolikave universale, deiste dhe humaniste, të cilat fshihen në hijen e simbolit të kryqit të etërve të kombit amerikan. George Washington ishte deist dhe mason e ka ngritur shumë spekullime por e vërteta e urbanistikës së Washington D.C., është ndryshe

Sipas teoricienëve konspirativë, ndërtesat dëshmojnë për frymën iluministe dhe masonike, por në fakt, pothuajse çdo ndërtesë publike e kryeqytetit mori inspirimin nga arkitektura egjiptiane, greke, romake, dhe ajo e Rilindjes. Arkitektët e parë të Washington D.C. ishin William Thornton dhe Benjamin Latrobe, të dy të zgjedhur nga Thomas Jefferson. Latrobe ishte mason, aë do të thotë ndërtues, dhe ai i dha natyrën joniane, dorike, dhe korintase elementeve të ndërtesave publike të Washington D.C., të cilat, si “urdhra arkitektonikë” përfaqësojnë mençuri, forcë, dhe bukuri.

Pentagrami (Ylli me pesë cepa) në rrugët e Pentagonit, linja stelare e ndërtesave qeveritare, monumenti i George Washington, etj., janë bërë prej kohësh objekt diskutimi mbi domethënien masonike, por e vërteta është se urbanistika e Washington D.C. është thjesht gjeometri dhe gjeometria konsiderohet si standardi më i lartë i dijes njerëzore. Aftësia për të konvertuar plane të skicuara nga letra në objekte reale betoni dhe tulle ndër shekuj është konsideruar një akt hyjnor në rregullin e universit.

Washington D.C., e ka të pëcaktuar në kushtetutë sipërfaqen e vet. Neni 1, Paragrafi 8 i Kushtetutës së SHBA siguron të drejtën e një territori që nuk kalon dhjetë milje katrorë për të shërbyer si vendi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. District of Columbia u emërua nga një komitet i ngritur nga Presidenti Washington në vitin 1791. “Columbia” është version femëror i mbiemrit të Cristopher Columbus, i idealizuar si një nga etërit hero nga amerikanët e shekullit të tetëmbëdhjetë. Më datë 12 tetor 1792, 300-vjetori i mbërritjes së Colombus në kontinentin e ri, u festua dita e parë e Ditës së Colombus. Një ditë më pas, më 13 tetor, u zhvillua ceremonia e vënies së gurit të parë për Shtëpinë e Bardhë. Kjo datë ishte 485-vjetori i arrestimit të Templarëve në Francë ndaj edhe janë ngritur shumë spekullime, sikurse edhe shumë të tjera, si për shembull viti 1776 i pavarësisënsë SHBA që gjoja përkon me krijimin e ilumintatit në po atë vit, e gabime të tjera historike të pabazuara por të shpërndara masivisht nga librat fiction të shekullit të 20-të.

Washington D.C., është i vetmi qytet në botë që ka rrugë me kthesa 108 gradë. Këndi 108 gradë është elementi që zbulon prezencën e pentagonëve dhe pentagrameve në një dizenjo të caktuar. Kjo ka shkaktuar trillime mbi simbole masonike dhe satanike, por e vërteta është se format janë përshtatur me hapësirën e kufizuar prej dhjetë miljesh katrorë.

Duke marrë parasysh nivelet e thella të simbolizmit, shihet qartë një ndërthurje e kulturave botërore dhe dijes epokale njerëzore. Washington D.C. është një mikro replikë e qendrave më të hershme urbane të Mesopotamisë, luginën e Nilit, Indet, Lumin e Verdhë, Azia Juglindore, Amerika Qendrore, Afrika Perëndimore, Athina, Roma, Firenze, etj.

Këto vende të lashta zbulojnë lidhjen e ndërtuesve të tyre me vendndodhjen e qytetit, orientimin në të katër drejtimet kardinale, elementet qendrore monumentale si tempujt, pallatet, piramidat, altarët dhe bulevardet e kortezhit të cilat i lidhnin këto vende me pushtetin. Projektimi i këtyre ansambleve tregojnë një dëshirë për të shpallur lidhjen midis forcave hyjnore dhe sunduesve të këtyre qyteteve, midis botës së mësipërme dhe qytetin mbretëror në tokë.

Etërit amerikanë ishin njerëz poliglotë, me një dije të gjithanshme të thelluar e me qasje universale. Ata ishin të krishterë, humanistë, iluministë, pasionantë të dijes, kulturës dhe historisë. Gjurmët e botëkuptimit të tyre dallohen edhe te Libraria e Kongresit ku ndërthuren shumë organikisht simbole humaniste, letrare dhe të krishtera. Te njëri afresk, në katin e dytë të murit verior të librarisë është shkruar një varg biblik, marrë nga Proverbat 4:7, “Dituria është gjëja më kryesore në jetë. Ndaj merre diturinë dhe t’i kuptosh të gjitha”. Në po të njëjtin kat gjendet një afresk tjetër, por marrë nga William Shakespeare, Vepra Henri IV, Pjesa II, Akti IV, Skena 7, “Injoranca është mallkimi i Perëndisë, ndërsa dituria na jep krahët që na çojnë për në parajsë”.

Respekti për dijen e lashtë manifestohet edhe në Ndërtesën e Gjykatës Supreme, në të cilën në një nga reliefet është gdhendur Moisiu, Konfuci, filozofi kinez (551-479 para Krishtit) dhe Soloni, ligjvënësi grek (638-558 para Krishtit). Në po këtë relief janë të gdhendur edhe një lepur dhe një breshkë, të cilët nuk janë thjesht për dekorim, por si ilustrim i një nga fabulave të Esopit, Lepuri dhe Breshka, e cila si moral ka që ligjet nuk duhen bërë me shpejtësi, por me durim.

Ekziston një mit i përhapur ndërkombëtarisht se masoneria kontrollon SHBA, e mbarë botën. Por, faktet tregojnë të kundërtën.

Më 5 janar 2007, Kongresi Amerikan, miratoi një rezolutë, e njohur si Rezoluta 33, e cila, pranon kontributin e masonerisë në krijimin e shtetit amerikan. Kjo rezolutë, e miratuar në ditët e para të vitit, por 230 më vonë pas krijimit të SHBA, dëshmon se ajo nuk ka qenë kurrë në qendër të meritave historike dhe për më shumë se dy shekuj ka qenë e humbur në betejën me Krishterimin dhe patriotizmin amerikan në tërësi. Dikush mund të spekullojë me numrin e Rezolutës, pra 33, si shkalla mjeshtërore masonike, por të krishterët mund të argumentojnë se përkon me vitet e moshës së Krishtit kur u kryqëzua, etj, e kësisoj nuk merret për bazë.

Në Rezolutën 33 shkruhet: Kjo rezolutë njeh me mijëra Masonë në çdo shtet të këtij Kombi dhe i nderon ata për kontributet e tyre të shumta që kanë dhënë për kombin gjatë gjithë historisë sonë. Vëllazëria Masonike meriton një njohje formale të historisë së saj të gjatë në përkujdesjen që kanë dhënë për qytetarinë dhe shembullin e tyre të standardeve të larta morale; dhe Freemason-ët kanë respektuar dhe festuar gjithmonë Ditën e Shën Gjonit, 24 qershorin, si dedikim për shenjtorin e tyre mbrojtës.

Ky tekst i dëshpëruar për t’u bërë pjesë e historisë nuk i shkon për shtat një miti që sundon botën. Masoneria dhe Deizmi, të rrethuara me frymën patriotike amerikane të kohës, dhanë impaktin e tyre gjatë luftës për pavarësi ashtu siç e dhanë edhe shumë grupime të tjera politike, fetare dhe patriotike, dhe asgjë më shumë. Ato ishin tranzitore, pa devijuar aspak identitetin amerikan dhe mbi të gjitha për të mos pasur asnjë ndikim kontrolli as mbi popullin e SHBA dhe as të popujve të tjerë të botës.

Ajo që e dallon amerikën dhe çdo gjë që ka lidhje me të është se është një shtet me përbërje, qeverisje dhe histori unike. Sistemi i shtetit amerikan është unik. Kushtetuta unike. Ofiqi i Presidentit unik. Dhe koncepti i të qënit një Amerikan i Mirë është tërësisht unik, koncept që nuk ekziston në vende të tjera. Ndaj çdo krahasim apo interpretim nga sy e mendje me kombësi tjetër nuk arrin dot t’i përafrohet mendësisë amerikane. Kjo nuk e bën Amerikën më të mirë nga popujt e tjerë, thjesht të ndryshme.

Historia nuk gjykon ajo vetëm kërkon të vërtetën ndër të gjitha hapat që ka ndërmarrë njerëzimi, zgjedhja e njeriut është nëse e kërkon të vërtetën në dritë apo në kthinat e fshehta të errësirës ku nën bukurinë dhe misticizmin e aparencës, nuk mund ta dish kurrë se çfarë do të zbulosh.