Shtëpia e Biznesit është struktura më e re në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit, e vendosur pranë Kryeministrisë, në njërin prej kubave të Piramidës.
Kjo strukturë çeli dyert për të mirëpritur sipërmarrësit në adresimin e problematikave të tyre, por edhe si pikëtakimi e përjavshme e sekretariateve teknike të Këshillit Ekonomik Kombëtar, që do të ngrihen në vijim të punës.
“Këtu do të organizohen takime, do të ketë persona të posaçëm për të qëndruar këtu, për të mbledhur problematikat tuaja dhe për t’i adresuar ato nëpërmjet të gjithë strukturave shtetërore”, tha Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se “të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin.”
“Po qëndroj ulur për ta bërë më pak ceremoniale dhe më familjare këtë bisedë. Prej kohësh, në të vërtetë, ne kemi pjesë të strukturës të qeverisë një Ministër të Shtetit që i përkushtohet sipërmarrjes, por prej kohësh kemi edhe shqetësimin bashkë me pyetjen pse nuk ka më shumë ndërveprim mes sipërmarrjes dhe kësaj instance që në fakt është e ndërtuar për të qenë një derë avokatie për sipërmarrjen, një derë avokatie ku çdo sipërmarrës mund të trokasë për çdo problem që ka dhe problemet që ju keni janë të natyrave të ndryshme, që nga problemet që lidhen me legjislacionin e sektorit, që nga problemet që lidhen me institucione që i ndeshni në rrugën e procedurave të caktuara, deri tek problemet që janë krejtësisht individuale, të lidhura, në një hap të caktuar të punës, me një ngërç që krijohet për kompanitë tuaja, për njësitë tuaja, si rezultat i një ndërhyrjeje që duhet adresuar, qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete një shprehje arbitrariteti në interpretimin e një procesi dhe qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete dyshimin apo bindjen që është për arsye korruptive.
Unë kam besuar dhe besoj që të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin, e përsëris, çdo problem dhe e nënvijëzoj, çdo problem që është nga ato situatat e papëlqyeshme të përballjes me një interpretim të gabuar të administratës apo të përballjes me një person apo me një grup personash që shfrytëzojnë të qenit në funksionin publik për të penguar punën me qëllim që të marrin mbrapsht ryshfetin e tyre”, u shpreh Rama.