Shtëpia ku shkrimtari i madh Ismail Kadare ka jetuar gjatë periudhës së komunizmit, në një pallat të njohur nga shumëkush në hyrje të rrugës së Dibrës, çeli dje dyert për qytetarët në formën e muzeut.
Një nga vizitorët e parë të shtëpisë-muze është vetë gjeniu i letrave shqipe, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare, u rikthye në apartamentin e mbushur me kujtime.
Për Ismail Kadarenë, projekti për shndërrimin e shtëpisë në një muze të vizitueshëm për qytetarët dhe turistët e huaj është një ide e mrekullueshme dhe fisnike. “Askush nuk e dinte këtë projekt dhe ideja vetë është e mrekullueshme, është fisnike, shumë humane. Mua s’më mbetet veçse të përsëris mirënjohjen time për të gjithë”, tha ai.
Teksa falenderoi Bashkinë e Tiranës për realizimin e projektit, Kadare theksoi se shkrimtari nuk mund të kuptohet pa lexuesin e tij, pa gjuhën, pa kombin e pa miqtë e tij.
“Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”, tha shkrimtari i madh.
Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehu mirënjohjen ndaj Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë.
“Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike. Është shumë e papritur për mua personalisht ta shikoj këtë gjë dhe për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë arkitektja Elisabeta, me të cilën kam pasur disa takime. Shumë bukur”, tha Helena Kadare.