Shumë qytete dhe metropole botërore po përballen me rritjen e jashtëzakonshme të qirave dhe çmimeve të shtëpive.

Situata është shumë më e nderë në Hong Kong të Kinës. Qiratë dhe çmimet për metër katror janë rritur aq shumë saqë dhjetëra mijëra njerëz detyrohen të jetojnë në vetëm dy metra katror. Si pasojë, të shumtë janë ata që i quajnë këto “shtëpi arkivol”.

Në 5 vitet e fundit qiratë janë rritur me 50 për qind, çka ka detyruar shumë persona që nuk do të arrinin kurrë të kishin një shtëpi normale, të hedhin sytë nga shtëpitë “mini” apo “mushkonjë”.

Sipas fotove të reporterit të agjencisë “AP”, njerëzit që jetojnë në këto shtëpi nuk arrijnë as t’i shtrijnë këmbët.

Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka quajtur këto shtëpi si “fyerje ndaj dinjitetit njerëzor.”