Banka e Shqipërisë shprehet se tregu i pronave vijon të jetë i stabilizuar, ndërsa kërkesa dhe oferta vijojnë të rriten.

Ndërkohë tregu duket se është “ftohur”, ndërsa BSH vëren se çmimet e shtëpive janë stabilizuar gjatë gjashtëmujorit të dytë. Ato ranë me 7.6% në rang vendi dhe me 10.2% në Tiranë, duke u rikthyer në mesataren e viteve të fundit.  Nga krahu tjetër lëshimi i shtëpive me AirBnB për turistët ka rritur çmimet e qirave, në kryeqytet sidomos.

Ndërkohë financimi kryesor për blerjen e shtëpive vijon të mbetet kredia. 60% e ndërtesave dhe banesave u blenë nëpërmjet kredisë, që mesatarisht mbulon deri në 60% të vlerës sipas agjentëve tregtarë. Tendencat në kreditim tregojnë se gjithnjë e më shumë individët dhe bizneset po i drejtohen monedhës Lek për të financuar pasuritë e tyre të paluajtshme.

Çfarë vihet re tek blerësit është se kërkesë të shtuar në periudhën e vitit që lamë ka pasur nga të huajt që përbënë rreth 26% të totalit të blerjeve. Bizneset gjithashtu kanë shtuar kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme thotë BSH. 38% e totalit të kredisë që kanë marrë në banka janë përdorur për këtë qëllim.

Nga krahu ofertës, edhe pse ka më pak leje, sipërfaqja e dhënë është thuajse njësoj me atë të vitit të kaluar.

Ndërtuesit ndërkohë raportojnë shpenzime të rritura për energjinë, pagat e punonjësve dhe transportin.