Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot zonën pranë grykëderdhjes së lumit Vjosa, që pas daljes nga shtrati përmbyti disa banesa dhe toka bujqësore.

Në vizitën e tij, Rama tha se ishte bërë një punë shumë e madhe dhe e krahasoi situatën me disa vite më parë, ku sipas tij uji do kishte shkuar deri në qendër të qytetit të Fierit.

Ndërkohë, njëri nga banorët tha se kishin shpëtuar vetëm falë punës së bërë, edhe pse shtëpitë e tyre u mbuluan nga uji.

“Po po, 100%, nga ajo që bëtë ju ne shpëtuam. Ne këtu na ka shpëtuar kjo punë që keni bërë ju këtu. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt.“,- tha banori.

Postimi i plotë nga kryeministri Edi Rama:

Në grykëderdhjen e Vjosës, ku falë investimeve të kryera për argjinaturat e reja dhe mirëmbajtjen e sistemit të rivendosur prej disa vitesh në punë të kullimit, bilanci i dëmeve nga prurjet tejet masive të lumit është minimizuar shumë ndjeshëm, ndërsa tërheqja e ujërave nga fushat ka ndodhur në kohë rekord. Tani do të vijojmë punën që në përballjen e ardhshme me përkeqësimin e motit, gjërat të shkojnë edhe më mirë.

Faleminderit të gjithë atyre që i qëndruan mbi kokë ditë e natë situatës shumë të rënduar nga moti i keq, këtu e në të gjithë Shqipërinë