Qeveria ka në dorë vendimin e ri për rritjen e pensioneve të para vitit 1996. Rritja e pensionit do të bëhet në mënyrë që, për të njëjtën punë, të merret i njëjti pension. Ka pasur raste që për arsye të ndryshme, i njëjti profesion të merrte pension të ndryshëm.

Kjo edhe për shkak të ndryshimeve pas viteve 1990, apo mungesës së dokumentacionit. Kjo “padrejtësi” po zgjidhet me anë të një vendimi që u lejon këtyre shtresave një shtesë pensioni, që varion nga 175 lekë në muaj deri në 3737 lekë në muaj.

Në një intervistë të dhënë për Panoramën, ministri Klosi theksoi se bëhet fjalë për një vendim për zbatimin e fazës së ngushtimit të diferencave në masën e pensioneve.

Janë gjashtë kategori pensionistësh që do të përfitojnë shtesë pensioni, në mënyrë që të ardhurat e tyre të jenë të barabarta me të ardhurat e pensionistëve të tjerë që kanë kryer të njëjtën punë.

Në kategorinë e parë janë pensionistët e dalë në pension gjatë vitit 1993. Bëhet fjalë për ata që kanë dalë në pension nga 1 tetori deri më 31 dhjetor 1993. Të ardhurat e kësaj shtrese shtohen nga 182 lekë në muaj në 2471 lekë në muaj.

Në kategorinë e dytë janë pensionistët që kanë dalë në pension në vitin 1994, përkatësisht nga data 1 janar deri më 30 shtator 1994. Pensioni i tyre shtohet nga 1627 lekë/ muaj në 2486 lekë në muaj. 

Në kategorinë e tretë janë pensionistët që kanë dalë në pension nga data 1 tetor 1994 deri më 30 prill 1995. Kjo shtresë merr rritje pensioni nga 517 lekë deri në 2488 lekë në muaj.

Në kategorinë e katërt janë pensionistët që kanë ndërprerë punën nga 1 maji 1995 deri më 30 shtator 1995. Shtesa për këtë kategori është 417 lekë në muaj deri në 2482 lekë në muaj.

Në kategorinë e pestë janë pensionistët që kanë dalë në pension nga data 1 tetor 1995 deri më datë 31 mars 1996. Shtesa për ta varion nga 175 lekë/muaj në 2480 lekë në muaj.

Në kategorinë e gjashtë, janë ata që kanë dalë në pension nga 1 prilli 1996 deri më 31 dhjetor 1996. Shtesa për këtë kategori është fikse, dhe më e larta. Të gjithë këta persona do të marrin 3737 lekë në muaj më shumë pension.

Marrë nga “Panorama”