Personave që iu është mohuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak të urdhrit të parë ekzekutiv të presidentit Donald Trump për kufizimin e udhëtimeve, tashmë mund të riaplikojnë për viza pas një marrëveshjeje ligjore të arritur në një gjykatë federale.
Qeveria amerikane do t’i kontaktojë tashmë të gjithë individët e kthyer mbrapsht në kufi, si pasojë e atij urdhri që hyri në fuqi më 27 janar. Megjithatë, marrëveshja e re nuk garanton se aplikantët do të sigurojnë vizat e kërkuara.
Trump nënshkroi urdhrin për herë të parë në janar, për të penguar njerëzit nga 7 vende me shumicë myslimane që të hynin në Shtetet e Bashkuara. Një lëvizje që shkaktoi protesta masive dhe shumë sfida ligjore.
Trump e mbrojti më vonë urdhrin e tij ekzekutiv, duke thënë se “nuk ishte për të përjashtuar myslimanët”. Por, një javë pasi nisi implementimin, një gjykatës federal në Seattle e pezulloi atë në rang kombëtar, duke lejuar vizitorët e penguar të hynin në SHBA, deri në zgjidhjen e apelimit të administratës së Shtëpisë së Bardhë.
Marrëveshja e re ligjore, që u njoftua të enjten, e detyron qeverinë amerikane të veprojë “në besim të plotë” kur procedon me dokumentet e të gjithë aplikuesve.
Shtatë vendet e prekura nga pezullimi fillestar 90-ditor i udhëtimeve ishin Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Por Iraku u hoq nga kjo listë pak më vonë.
Disa kategori vizash, siç janë ato për diplomatët apo punonjësit e Kombeve të Bashkuara, nuk u përfshinë në këtë urdhër ekzekutiv.
Grupet e të drejtave të njeriut, përfshi Qendrën Ligjore të Emigracionit Kombëtar (NILC) dhe Unionin amerikan për Liritë Civile (ACLU), dorëzuan një padi në Nju Jork për të kërkuar lirimin e dy prej të ndaluarve të parë në kufi, që ishin nga Iraku. Ata ndodheshin në avionin që po shkonte drejt SHBA-ve, kur urdhri ekzekutiv u firmos.
Qindra shtetas nga vendet e prekura prej urdhrit të janarit u burgosën sapo shkelën në tokën amerikane, edhe pse kishin viza të vlefshme dhe dokumente rezidenciale. Megjithatë, lëvizja e Trump u pezullua më 3 shkurt dhe më pas u sfidua në gjykatë.
Më 6 mars, presidenti Trump u përpoq të rishikonte pezullimin e individëve nga 6 shtete, për të përfshirë edhe gjyshërit apo të afërmit e tjerë të atyre që ishin rezidentë në amerikanë. Në korrik, Gjykata Supreme amerikane refuzoi urdhrin ekzekutiv të rishikuar të administratës së Trumpit, por gjykatësit i dhanë qeverisë të drejtën për të zbatuar ndalime ndarazi për refugjatët, deri në apelimin e qeverisë kundër urdhrit të gjykatës federale.
Shtetasve që iu mohua hyrja në SHBA u lejohet riaplikimi
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit