15 maj 2015 – Procedura e aplikimit të kërkesave për ata që duan të marrin shtetësinë italiane, tashmë do të jetë më e thjeshtë dhe më e shpejtë.
Nga e hëna e ardhshme më 18 maj, do të vihet në funksionim sistemi i ri online i paraqitjes së kërkesave të shtetësisë, përmes një portali të posaçëm të Ministrisë së Brendshme: https://cittadinanza.dlci.interno.it. Pasi të regjistrohesh dhe të marrësh emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin, do të mund të shohësh formularin informatik në të cilin do të futësh të dhënat personale.
Kërkesës online do t'i bashkangjiten, pasi të jenë skanerizuar, një dokument identiteti, dokumentet e lëshuara nga autoritetet e vendlindjes (akti i lindjes dhe dëshmia e penalitetit) dhe kuponi i derdhjes së 200 eurove të parashikuara për ata që kërkojnë të bëhen italianë.
Avantazhi më i dukshëm i kërkesave online është që mund të paraqiten sapo i interesuari ka përmbushur kriteret e parashikuar nga ligji, dhe pasi ka mbledhur dokumentacionin e nevojshëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





