Italia dhe Greqia janë dy vendet kryesore ku shqiptarët marrin shtetësinë këtë periudhë, duke konfirmuar se këto destinacione nuk janë më thjeshtë vende pune, por vende jetese afatgjatë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se, Italia kryeson bindshëm listën e shteteve ku shqiptarët kanë marrë shtetësinë me rreth 35 mijë individë në vit, e më pas vjen shteti helen me afro 10 mijë individë.
Pas tyre, Gjermania, Franca dhe Belgjika janë vendet që kanë marrë emigrantë gjatë dekadës së fundit. Në Gjermani, numri i shqiptarëve që fituan shtetësinë ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, rreth 480 persona në vit. Shifrat luhaten në nivele të ngjashme edhe në Belgjikë e Francë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore si Holanda, Finlanda dhe Norvegjia, po fitojnë gradualisht terren si destinacione të qëndrueshme për shqiptarët.
Në të kundërt, vendet e Europës Lindore dhe Baltike shihen si destinacione afatshkurtra turizmi ose punësimi, cka nuk prodhojnë interes në kërkesa për leje qendrimi.
Fitimi i shtetësisë përfaqëson fazën e fundit të emigrimit, integrimin e plotë social, ekonomik dhe ligjor në vendin pritës.





