Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, në bashkëpunim me Rrjetin e Zbatimit të Krimeve Financiare (FinCEN) dhe Qeverinë e Meksikës, ka vendosur sanksione ndaj Grupit Hysa (HOCG) dhe disa institucioneve të lojërave të fatit me bazë në Meksikë, të dyshuara si të përfshira në pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale transnacionale.

“Ky veprim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë SHBA-Meksikë për luftimin e trafikimit të drogës dhe krimit financiar të lidhur me kartelet e drogës. Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: Ju do të mbaheni përgjegjës. Falënderojmë Qeverinë e Meksikës për partneritetin e saj të fortë në këtë përpjekje”, deklaroi nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, John K. Hurley”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit.

Sipas OFAC, 27 individë dhe subjekte janë sanksionuar, ndërsa FinCEN ka propozuar një masë të veçantë për të ndërprerë aksesin e 10 institucioneve të lojërave të fatit me seli në Meksikë në sistemin financiar të SHBA-së, duke u bazuar në shqetësimet për pastrim parash.

Detajet e sanksioneve të publikuara në faqen e Departamentit të Thesarit të SHBA

Grupi Hysa përfshin anëtarët e familjes Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa. HOCG dyshohet se përdor investime dhe kontroll mbi biznese të ndryshme në Meksikë, përfshirë lokale lojërash fati dhe restorante, për pastrimin e të ardhurave nga trafikimi i drogës, shpesh në bashkëpunim me Kartelin Sinaloa.

Ndër subjektet e goditura janë:

Entretenimiento Palmero SA de CV

Bliri SA de CV

Cucina Del Porto SA de CV

Rosetta Gaming Inc (Kanada)

Hysa Holdings Inc (Kanada)

Një numër kompanish dhe individësh të lidhur direkt ose indirekt me grupin Hysa.

Të gjitha pronat dhe interesat e sanksionuara që ndodhen në SHBA ose në kontroll të personave amerikanë janë të bllokuara dhe çdo transaksion i paligjshëm mund të sjellë ndëshkime civile ose penale.

Veprimet e FinCEN

FinCEN ka identifikuar 10 institucione lojërash fati në Meksikë si “transaksione me shqetësim parësor për pastrim parash” dhe propozon vendosjen e masave që ndalojnë përdorimin e llogarive korresponduese në SHBA për përpunimin e transaksioneve që lidhen me këto institucione. Këto institucione përfshijnë:

Kazino Emine (San Luis Rio Colorado, Sonora)

Casino Mirage (Culiacan, Sinaloa)

Kazino Midas (Agua Prieta, Sonora; Los Mochis, Sinaloa; Guamuchil, Sinaloa; Mazatlan, Sinaloa)

Midas Casino (Rosarito, Baja California)

Kazinoja Palermo (Nogales, Sonora)

Kazino Skampa (Ensenada, Baja California; Villahermosa, Tabasco)

Qëllimi i sanksioneve

Qëllimi i këtyre masave është të ndalojë pastrimin e parave të lidhura me krimin e organizuar dhe të promovojë ndryshime pozitive në sjellje, duke goditur infrastrukturën financiare të grupeve kriminale dhe duke mbrojtur sistemin financiar të SHBA-së”. thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.