21 shtator 2015 – Jam pensionist, prej vitesh dhe i vetëpunësuar, ia paguaj taksat shtetit rregullisht, paguaj faturën e energjisë, paguaj faturën e ujit, nuk kam ndërtuar ndërtim pa leje, nuk pres të legalizoj asgjë, nuk pres të më falen gjobat apo kamat-vonesat, nuk pres të bëhem i ligjshëm se i ligjshëm kam lindur, i ligjshem kam jetuar, i ligjshëm kam punuar për 60 vjet (por shteti im po më trajton njësoj si të paligjshmit).

Kur dëgjova për aksionin tatimor mendova se më në fund do vihet pak drejtësi që edhe të tjerët si unë me mikrobiznes, biznes të vogël do të paguajnë taksa, por realisht aksioni mund të quhet me plot gojën “policesko-tatimor”, “aksion represioni” ndaj të vetëpunësuarve që luftojnë çdo ditë për bukën e gojës, po po, për bukën e gojës.

Aksion ndaj neve pensionistëve të vetëpunësuar që vazhdojmë paguajmë taksa dhe nxjerrim një rrogë për të jetuar pak me mirë, për t’i blerë ilaxhet MADE IN BE dhe JO MADE IN INDIA more zotërinj, siç janë rëndom në farmacitë tuaja, në spitalet tuaja (dhe në raste kur gjenden).

Aksion ndaj të vetëpunësuarve profesionistë që s’duan t’i bëhen barrë shtetit për një vend pune apo për ndihmë sociale.

Aksion ndaj ushtarakëve, apo nëpunësve që e ashtuquajtur reformë, sa herë ndërrohen pushtetet dalin të papunë dhe vetëpunësohen për të mbijetuar.

Aksion ndaj shpresës dhe aspiratës për të ndërtuar jetën në Shqipëri dhe jo për të kërkuar azil.

Aksion ndaj kioskave që paguajnë tatime, por që gjobiten me shuma që kalojnë dhe vetë vlerën e llamarinave të kioskës.

Disa fenomene (por ka dhe të tjera) që kam vënë re me syrin e thjeshtë nga pozita e qytetarit që respekton ligjin dhe kontribuon për ndërtimin e shtetit duke paguar taksat.

1. Po trajtohen të gjithë njësoj, si ai që i paguan shtetit taksa prej 25 vitesh, si ai që po futet tani në sistem (kjo për fajin e administratës tuaj tatimore dmth).

2. Po ndëshkohen dhe gjobiten njësoj, si ai që ka një kioskë me llamarina 3 m² dhe shet gazeta, mbush çakmakë apo ku e di unë çfarë, si ai që ka supermarket.

3. Po trajtohet njësoj, si ai që e ka blerë kasën për herë të tretë gjatë këtyre 25 viteve, si ai që nuk do ta blejë as sot.

4. Vijnë inspektorët fotografojnë kasën fiskale brenda ambienteve të biznesit, ndërkohë që kasa është pronë private dhe biznesi është i rregullt në dokumentacion??? Ku e gjejnë të drejtën të shkelin privatësinë me kaq arrogancë?

5. Vijnë inspektorët që në shumicën e rasteve nuk kalojnë as 25 vjeç (nuk kam asgjë kundër punësimit të të rinjve) dhe sekuestrojnë shishet e dhallës, byreqet në mikrobiznese që kanë 25 vite që kontribuojne me taksa për shtetin (barazim me vitet e jetës që kanë këta që për shtetin kanë dëgjuar vetëm kur do të punësoheshin pa konkurs se numëruan votat).

6. Po ndëshkohen se nuk kanë fatura për blerje malli, ndërkohë që taksat i paguajnë fiks sipas nivelit të xhiros të vendosur po nga administrata tatimore.

Po ndëshkohen në “emër te ligjit” dhe në “emër të realizimit të planit”, apo për të treguar devotshmëri ndaj shefit, por pa u thelluar në analiza të thjeshta logjike apo dhe më tej, ekonomike.

Zotërinj, nuk luftohet evazioni fiskal te biznesi i vogël, tek të vetëpunësuarit që paguajnë taksat, ata janë hallka e fundit e sistemit, ata janë më të rregullt, ata zënë një pjesë fare të vogël në gropën e madhe të buxhetit.

Ata kanë taksa fikse mbi nivelin e xhiros të llogaritur po nga administrata tatimore dhe shumica e tyre janeë në nivelet 2.000.000 lekë xhiro dhe paguajnë 25.000 tatim vjetor, plus sigurimet rreth 80.000 lekë, plus taksat e bashkisë, pra variojnë 120.000 -150.000 lekë (të rinj në vit) që buxheti  merr nga të vetëpunësuarit. Dhe mbi të gjitha, këta nuk i bëhen barrë shtetit për t’i kërkuar asistencë sociale.

Por këta nuk shihen kështu, nuk trajtohen kështu se mungon minimumi i logjikës njerëzore por edhe ekonomike, këta shihen dhe trajtohen si numra, si target që gjobitet për t’u mbushur arka e shtetit.

Dhe kur mungon logjika, dhe kur mungon ana sociale e trajtimit të fenomeneve, ky aksion nuk është më aksion tatimor për të luftuar evazionin fiscal, por është policesk, arrogant,  ndëshkues në emër të shtetit dhe në shume raste selektiv.

Ndoshta administrata nuk e ka formimin e duhur profesional qe të bëjë analiza logjike, analiza ekonomike (sigurisht pa shkelur ligjin) kur kontrollojnë në emër të shtetit, kur gjobisin në emër të shtetit taksapaguesit e vetëpunësuar (prej taksave të tyre marrin dhe rrogën).

Ndoshta administrata kështu i ka udhëzimet apo kështu e ka kuptuar detyrën, të mos preken të mëdhenjtë BIG apo VIP siç i quajnë. Ata financojnë fushatat me miliona euro, para këto që ata kurrsesi nuk i zbresin nga norma e tyre e fitimit, por logjika e thjeshtë të çon në konkluzionin se janë një pjesë e parave që i mungojnë buxhetit si rrjedhojë e evazionit fiskal që ata kryejnë, si rrjedhojë e bilanceve të dyfishta që ata deklarojnë etj. 

*Autori është një qytetar nga Durrësi, pensionist dhe i vetëpunësuar, i cili ka dërguar opnionin e tij posaçërisht për portalin tonë

/portali DurresLajm/