Nga Thanas Mustaqi
Shteti shqiptar miraton në OKB rezolutë për Ditën botërore të prindërve, por nuk kujtohet të nderojë “heronjtë e ditëve tona”, ndërkohë që në të gjithë botën pati veprimtari.
Më 1 qershor politika shqiptare u shfaq në disa veprimtari kushtuar fëmijëve në ditën ndërkombëtare të tyre.
Nuk e politizuan, por deklarat e tyre në fundjavë përveç aspektit njerëzor dhe sentimental, pati dhe ngjyra “elektorale”.
Po diçka nuk shkon këtu, pasi 1 qershori i vitit 2013 duhet të shënonte fillimin e një tradite të re në kalendarin e festave që 1 qershori është dhe dita botërore e prindërve.
Në rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në mbledhje plenare e 130-të, më 17 shtator 2012, thuhet se 1 qershori shpallet dita botërore në nderim të prindërve në të gjithë botën (sh. faksimilen e rezolutës në anglisht).
Kjo rezolutë fton shtetet anëtare të OKB-së të festojnë ditën botërore të prindërve në kuadrin e marrëdhënieve të partneritet të gjithanshëm me shoqërinë civile, në veçanti me pjesëmarrjen e të rinjve dhe fëmijëve, për të marrë pjesë në veprimtaritë kushtuar kësaj Dite.
Ndërkohë, Vatikani i konsideroi prindërit ditën e 1 qershorit 2013 “heronj të ditëve tona”, në Pakistan, Afrikë, SHBA pati veprimtari, kurse Kremlini dekoroi nënat me shumë fëmijë.
Miratojmë 3 ligjet e BE-së, kërkojmë viza në SHBA, por nuk zbatojmë një rezolutë të OKB-së, që është një formë ndikimi për forcimin e familjes.
Dokument
Rezolutë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara
Dita Botërore e Prindërve
Asambleja e Përgjithshme
1. vendos të shpallë 1 qershorin ditën botërore të prindërve, që do të festohet çdo vit në nderim të prindërve në të gjithë botën;
2. fton shtetet anëtare të festojnë ditën botërore të prindërve në kuadrin e marrëdhënieve të partneritet të gjithanshëm me shoqërinë civile, në veçanti me pjesëmarrjen e të rinjve dhe fëmijëve;
3. i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që për rezolutën aktuale të vihen në dijeni të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim që në mënyrë të përshtatshme të marrin pjesë në veprimtaritë kushtuar kësaj Dite.
Mbledhja plenare e 130-të.
Më 17 shtator 2012.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





