NGA DR. NOVRUZ ZEJNATI

Ushtarakët, bijtë e bijat më të mira të kombit, gjithmonë nën urdhra, kuleta u ngeli bosh. Qysh kur ka hyrë në fuqi statusi i ushtarakut, kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet. Ky status parashikon të drejtat dhe detyrat e ushtarakut të Forcave të Armatosura, Por është fatkeqësi që, ndërsa detyrimet ushtarakët i kanë plotësuar si jo më mirë në interes të Kombit e të zbatimit të Kushtetutës, kur është puna për t’u dhënë atyre ato të drejta që u garanton Kushtetuta dhe ligji, këto kanë mbetur në harresë të plotë. Papërgjegjshmëria shtetërore ka filluar qysh para njëzet e katër viteve, kur u miratua statusi i ushtarakut në vitin 1991. Duke qenë se partitë politike e trajtojnë ushtrinë si një shoqatë për të zbatuar kërkesat e njërës apo tjetrës parti, qysh atëherë e në vazhdim kanë vazhduar të nxjerrin ligje pas ligjesh për të deformuar e për të mos zbatuar detyrimet që ka shteti për dhënien e të drejtave që parashikon statusi.

Jemi ndoshta i vetmi vend nga vendet anëtare të NATO-s që ushtria është lënë “prapa derës”, sikur të ishte një shoqatë e rëndomtë e një grupi fermerësh. Askush nuk ka as dyshimin më të vogël që ushtria, edhe në të kaluarën, edhe sot nuk ka qenë e as nuk është vegël e asnjërës prej partive politike, të majta, të djathta apo të qendrës. Është e tepërt të themi që ushtria ka qenë dhe është për zbatimin e ligjeve që rrjedhin nga kushtetuta, në mbrojtje të interesave të kombit, pavarësisht nga ngjyrat që i japin partitë politike që ikin e vijnë por kombi dhe interesat e tij mbeten.

Qysh me miratimin e statusit të muajit korrik të vitit 1991, partitë e djathta në pushtet, me mendimet e vjetra se “ushtria është vegël e partive politike të majta”, qëllimisht i shtrembëruan nenet e statusit, dhe deri në vitin 1996, nuk zbatuan asnjë nen të tij. Në vitin 1996, i zëvendësuan nenet e tij me një vendim për asistencë, siç qe ligji nr. 8087 datë 13.3.1996, për ushtarakët që dilnin në reformë. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe pas miratimit nga Kuvendi të ligjit nr. 9210 datë 23.3.2004, që bën fjalë për statusin e ushtarakut me ndryshimet e bëra, është përsëri kjo forcë politike që, jo vetëm nuk i është përmbajtur zbatimit të neneve të këtij ligji, por edhe i ka deformuar ato në mënyrën më të shëmtuar. Si duket, hakmarrja ndaj ushtarakëve aktivë dhe atyre në rezervë, se ushtria “është në mbështetje të forcave të majta politike”, vazhdon ende të shkaktojë “turbullira” në kokën e tyre. Pas miratimit të këtij statusi, qeveria e djathtë ka nxjerrë akte ligjore e nënligjore jo në funksion të zbatimit të statusit të Forcave të Armatosura, por në funksion të moszbatimit të tij.

Me ardhjen në pushtet të tyre, në vitin 2005, nenet e tij u shfuqizuan dhe përsëri dolën akte ligjore e nënligjore në dëm të interesave të ushtarakëve dhe jo në mbështetje të tyre. Është vetë shteti, që nuk zbaton asnjë nen të ligjit për statusin e ushtarakut, qysh nga miratimi i tij përpara njëmbëdhjetë vjetësh. Qysh atëherë kanë dalë shumë akte ligjore e nënligjore, akte normative e që askush nuk e merr vesh, që përveç papërgjegjshmërisë shtetërore në zbatimin e këtij ligji, nuk tregojnë asgjë tjetër.

Nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si fjala vjen që pensionet për ata që dalin në reformë. Sipas nenit 35 të statusit, këtyre u njihet e drejta e marrjes së pensionit të parakohshëm deri në daljen në pension pleqërie sipas formulës 50+2.. E jep “ustai”, por nuk e jep “çiraku”! Jo, thotë shteti, t’u jepet deri në vitin 2009. Nga ky vit, të gjithë ushtarakët janë kthyer në debitorë ndaj shtetit, për atë që as nuk e kanë vjedhur e as nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm. Thjesht, një “kapriço” e shtetit “Sali”!

E keqja është se as shteti e as gjykatat e shkallëve më poshtë, nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë taksative për të gjithë shkallët e gjyqësorit e për shtetin. Por jo, këtu është më i madh “bishti” nga “sqepari”!    Është e domosdoshme që vetë shteti dhe institucionet e tij të respektojnë Kushtetutën, duke e bazuar veprimtarinë e tyre vetëm në ligj. Sovraniteti i ligjit qëndron mbi të gjitha sovranitetet e tjera, pra liria i përket ligjit dhe jo pushtetit e ca më pak pushtetmbajtësve. Kur liria e ligjit, ngatërrohet apo zëvendësohet me lirinë e pushtetit, nuk mund të bëhet fjalë për shtet, i cili në këtë rast zëvendësohet me pushtetmbajtësin.

Vetë shteti jep shembullin më të keq, që u kundërvihet ligjeve dhe kushtetutës, vetëm e vetëm për të mos respektuar ushtrinë e vet, atë që i ka qëndruar dhe i qëndron besnike edhe sot, kurdoherë që ta lypë nevoja. Ushtarakët, si ata aktivë edhe ata në rezervë, janë të vetmit që nuk kanë përfituar asgjë nga reformat e shumta që janë bërë nga shteti gjatë gjithë periudhës. Ushtarakët i kanë sytë vetëm nga shteti e shteti u ka kthyer atyre shpinën. Me disa akte të famshme nënligjore, shteti i ka kthyer ushtarakët në debitorë, sikur këta të jenë “fajtorë” për të gjitha milionat e miliardat deficiteve të krijuara nga hajdutët që pjell vetë sistemi i korruptuar i ashtuquajtur demokratik, në këta njëzet e pesë vjet.

Të gjithë ushtarakët në rezervë, në vend të pajimeve luftarake të djeshme, sot mbajnë dosjet voluminoze në kërkim të të drejtave të tyre në gjykatat e shtetit, të atyre të drejtave që ua garanton statusi. Disa prej tyre i fitojnë të drejtat e tyre me gjyqe, disa të tjerë jo, sikur t’i kishin shërbyer dhjetëra shteteve dhe jo një shteti të vetëm. Aktet ligjore e nënligjore të shtetit qysh nga ajo kohë e deri më sot, janë bërë si “ferrat” nëpër këmbë që vetëm pengojnë ushtarakët për të kërkuar të drejtat e tyre.

Për të gjitha këto shkelje të statusit, ishte e vetëdijshme edhe “Rilindja”, si forcë e majtë politike, për të cilën e djathta e akuzonte se kishte një “grup gjaku” me ushtarakët e Forcave të Armatosura. Për këtë “Rilindja” me gojën e kryetarit të saj, qysh pak para zgjedhjeve të vitit 2013, premtonte: “Akti i parë që do të bëjmë sapo ne të vijmë në pushtet, do të jetë shfuqizimi i aktit normativ”! Bëhet fjalë, për aktin normativ që të gjithë ushtarakët në rezervë, i kthen në debitorë ndaj shtetit, për të “mbushur” arkën e tij të zbrazur nga pushtetmbajtësit e oborrit të Saliut!   

Kaluan mbi dy vjet dhe tashmë “Rilindja” as që e ka vënë “ujin në zjarr” për shfuqizimin e një akti të tillë. Siç duket, “Rilindja” kërkon të japi “prova” para atyre që kanë “Riperënduar”, që “ushtria dhe ushtarakët” nuk janë ata që u shërbejnë interesave tanë të majtë.

Këtë “provë” “Rilindja” e ka dhënë edhe përsa i përket rikthimit të Shtëpisë Qendrore në funksionin e mëparshëm, si pronë e ushtrisë, të grabitur padrejtësisht nga “salistët” ashtu si grabitën dhjetëra e qindra prona të ushtrisë, e paratë shkuan në xhepat e “pushtetmbajtësve”» të Saliut! Ndahen nga jeta, njerëz të artit e të kulturës dhe është normale dhe tejet humane që t’u bëhet ceremonia mortore. Një e tillë atyre u bëhet në qendrat kulturore e artistike të institucioneve. Po ushtarakut, kur ndahet nga jeta, ku i bëhet një e tillë? Në të tilla raste, ushtarakët, kolegët dhe të afërmit e familjes, duhet të marrin me qira ndonjë kazino, që ushtarakut që ndahet nga jeta, t’i jepet lamtumira e fundit! Ky është trajtimi i ushtarakut nga shteti i vet, pa bërë fjalë për kryerjen e aktiviteteve të tjera, sikur këta të kishin bërë “mëkate” dhe jo t’i kishin qëndruar besnikë shtetit të vet.

Në bazë të statusit, ushtaraku ka të drejta edhe përsa i përket trajtimit shëndetësor, siç janë vizitat mjekësore, rimbursimi i barnave e shumë e shumë të tjerë që nuk 5a vlen t’i përmendësh, por që Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Mirëqenies Sociale, as që duan të dinë. Ushtarakë në rezervë, me gradë madhore që kanë shërbyer me ndërgjegje në vende të vështira të kombit, gjenden pa asnjë mbështetje. Tashmë në moshën e pensionit, dikush prej tyre shkon tek spitali “serioz” ushtarak për një ndërhyrje kirurgjikale të thjeshtë. “Nuk i kemi as mjetet as kushtet”u thonë mjekët “seriozë” të shtetit që u “qan hallin” ushtarakëve, duke i dërguar në një klinikë të “specializuar” private me emër të madh, “klinikë amerikane”, ku vetëm faturën e operacionit i presin tre mijë euro! Po këta specialistë të Spitalit Ushtarak, shërbenin edhe atje tek i “madhi” amerikan! Ky është “favori” që u bën ushtarakëve në rezervë, shteti, që “specialistët” e tij të vjedhin në mënyrë “amerikançe”, sikur të mos mjaftonin vjedhjet “alla-shqiptarçe”!   

Janë kërkuar shumë herë takime në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Mirëqenies Sociale. Drejtuesit kryesorë të këtyre institucioneve“nuk kanë kohë” t’i presin këta ushtarakë në rezervë që kërkojnë “qiqra në hell”! Ata, në Ministrinë e Mbrojtjes i pret një punonjës civil, që as ka dëgjuar për statusin e ushtarakut dhe del mbi këtë ligj, që e ka firmosur e vulosur Kuvendi i Shqipërisë, duke i quajtur kërkesat e tyre, si “pretendime” të shumta dhe ushtarakëve të shoqatës u drejtohet: “E keni ngritur shumë lart stekën”! Kurse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale i pret një punonjëse, e cila u premton se: “Do t’i kemi parasysh kërkesat tuaja”! I zoti e jep, tellalli nuk e shet.

Këta janë të “Rilindjes”, të cilët në këta dy vjet vazhdojnë të ecin në gjurmët e të parëve të tyre, si një eksperiencë me “vlerë” në administratë e në mentalitet, për zbatimin e detyrimeve të shtetarëve të shtetit të vet. Nuk e ka gabim e djathta, që krahas të tjerave, i akuzon edhe për mosmbajtje të premtimeve. Mosmbajtja e premtimeve nga ana e “Rilindjes”, si kudo, edhe në atë të zbatimit të kërkesave të statusit të ushtarakut i janë lënë të kaluarës! Duket sikur “Rilindja”, me ardhjen në pushtet e filloi punën e saj nga “Perëndimi”. Fali të gjitha detyrimet që bizneset i kishin shtetit, fali të gjitha detyrimet që bizneset kishin ndaj sigurimeve shoqërore, fali të gjitha detyrimet e bizneseve ndaj CEZ-it, etj., etj., pra fali të gjithë ata që u kishin shkaktuar dëme taksapaguesve dhe shtetit.

Nuk them se bëri keq, mirë bëri, por përpara se të falësh ata që kanë vjedhur, duhet vënë në vend një padrejtësi që u është bërë të ndershmëve që nuk kanë vjedhur, që kanë djersën e vet, ato detyrime që u mbahen nga pensioni. Shteti është në hall dhe për këtë hall që i kanë shkaktuar hajdutët, duhet të paguajnë të ndershmit! Ushtarakët, nga ana e tyre, i zbatojnë me korrektësi detyrimet që kanë ndaj shtetit sipas statusit. Në të njëjtën kohë, ata e zbatojnë me korrektësi edhe atë, që të drejtat t’i kërkojnë në rrugë demokratike e me mjete demokratike, e jo me bllokime rrugësh e me reprezalje. Edhe shteti nga ana e tij, këtë rrugë të ndjekë për t’u dhënë atyre të drejtat që u takojnë.

Çudia dhe marrëzia duket më qartë te pensionet e ushtarakëve. Kolonelët, gjeneralët që kanë punuar mbi 30-35 vjet në ushtri duke pasur pagë shumë të lartë për atë kohë, duke derdhur kontribut maksimal në arkën e shtetit, tashmë marrin pension më të vogël se vartësit e tyre, edhe më të vogël se kapterët e ushtrisë. Akoma më qesharak është pensioni suplementar ushtarak, i cili u takon atyre në bazë të ligjit. Ky pension duhet të jetë sa 50 për qind e shumës së pensionit të pleqërisë, por një ish-kolonel merr 850-950 lekë në muaj, kurse ish-oficerët me gradë kapter, kapiten etj., marrin 1000-13000 lekë. Çdo gjë duket se bëhet sipas miqësisë, shoqërisë, përkatësisë partiake dhe asnjëherë sipas ligjit. Ligjet nga levantinët në pushtet u shkrofshin, por mos u zbatofshin…

* Kolonel në rezervë. Ish-komandant brigade këmbësorie. Personalitet në shkencat ushtarake.

Disa nga veprat e autorit: “Fillimi i një bisede” (novelë),“Arti ushtarak shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme (bashkautor), “Batalioni, brigada e këmbësorisë në luftimin mësymës në kalimin e pengesave ujore në drejtimin bregdetar” (bashkautorë), “Ne ishim në Vietnam”, “Shtegëtim në xhugla”, “Ligjet e luftës”, “Pesha e fjalës”, “Bukuria e fjalës”, “Ahmet Zogu mbreti dhe komandanti i ushtrisë së shqiptarëve”, “Terrorizmi dhe lufta”, “Lufta arti i thjeshtë -thelbi i saj qëndron në realizimin” dhe i dhjetëra eseve dhe shkrimeve.

Banon në Durrës. Shkrimi i është i është dërguar redaksisë nga autori për botim ekskluziv më 1 tetor 2015.

/portali DurresLajm/