Numri i sporteleve në pikën kufitare të portit të Durrësit është dyfishuar me rastin e fluksit të shtuar të pasagjerëve në festat e fundvitit. Plot 19 sportele për pasagjerë dhe mjete janë vënë në dispozicion për të përshpejtuar kohën e qëndrimit, ndërsa janë rritur masat e sigurisë në portin më të madh të vendit.
Lindita Nushi, shefe e komisariatit të policisë kufitare, në mbledhjen e shtabit të emergjencave të mbledhur nga prefekti, deklaroi se ka një plan masash të shtuara në portin e Durrësit për pritjen dhe përcjelljen e pasagjerëve nga kjo pikë kufitare.
Rreth 3 mijë është numri i pasagjerëve që po hyjnë nga portet italiane çdo ditë në pikën e kalimit të portit të Durrësit. Përveç policisë e cila ka dyfishuar sportelet, plani i masave ka përfshirë edhe institucionet publike, portin, kapitanerinë, doganën dhe sigurinë portuale si dhe operatorët privatë, agjencitë doganore etj. Edhe institucionet e tjera janë vënë në gadishmëri të plotë.
K.H.