Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim një person i cili ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatik gjatë orëve të para të mëngjesit. Kur uniformat blu shkuan në vendngjarje dhe ushtruan kontroll në banesën e tij, i gjetën edhe sasi kanabisi.
Është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit B.D. 35 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.
“Shtetasi i mësipërm, më datë 18.09.2017, rreth orës 03:00, në Sektor Rinia dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatik.
Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe identifikuar autorin.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të mësipërm u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 12.2 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa”, njofton policia e Durrësit.
Ndaj 35-vjeçarit rëndojnë 3 akuza: “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar në nenet 274, 278 dhe 283 të Kodit Penal.





