Një ngjarje e rëndë është shënuar në Maqedoninë e Veriut, ku një 37-vjeçar dyshohet se ka përdhunuar një 11-vjeçare.
Prokuroria e Gostivarit bën me dije për mediat se nëna e të miturës e kishte thërritur 37-vjeçarin, i cili shtirej si hoxhë për të “shëruar” vajzën nga magjia e zezë.
I dyshuari ka kërkuar që të lihet vetëm me fëmijën në një dhomë dhe dyshohet se e ka detyruar të kryejë akte seksuale.
Kjo ka ndodhur dy herë, në datë 23 dhe 24 nëntor të këtij viti.
Sipas Prokurorisë, kur nëna e ka thërritur për herë të tretë, vajza i ka treguar nënës se çfarë ndodhi, e më pas, rasti është denoncuar në polici.
“I dyshuari i parë, 37 vjeçar, banues në Koçan, në dy raste më 23 dhe 24 nëntor në një banesë në Gostivar, ka kryer akt seksual ndaj një fëmije të lindur në vitin 2012. Nëna e fëmijës ka thirrur të dyshuarin, i cili është prezantuar si hoxhë, për ta “shëruar” fëmijën nga magjia e zezë. I dyshuari ka kërkuar të lihet vetëm me fëmijën viktimë në dhomë dhe e ka detyruar atë në akte seksuale. Viktima, nga frika nuk ika treguar asgjë nënës së saj. Por kur nëna ka dashur ta thërrasë për të tretën herë të dyshuarin më 5 dhjetor, vajza e shqetësuar ka treguar se çfarë po ndodh me të, pas së cilës ngjarja është denoncuar në polici”, thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Publike.





