Katër shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga policia greke dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit që i përkasin moshës 35- 52 vjeç, ishin vetëdeklaruar si doganierë, në momentin kur autoritetet greke zbuluan mallra të vjedhura në Greqi, në dy kamionë në Kallpaq, pranë Kakavijës.
Gjashtë shqiptarët akuzohen për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, vjedhje dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë.
Sipas autoriteteve greke, në datën 30 qershor, në mbrëmje, janë pikasur në aksin Konicë-Janinë, 2 kamionë dhe 1 automjet teksa lëviznin në mënyrë të dyshimtë.
Gjatë ndjekjes është ndaluar mjeti ku udhëtonin 4 doganierët, ndërsa drejtuesit e kamionëve i braktisën ato dhe u larguan me vrap. Nga hetimet rezulton se 4 "doganierët" ishin shoqërues të kamionëve.
Brenda kamionëve u gjetën dhe sekuestruan: Dy mjete bujqësore, motor trajleri, pajisje ndërtimi, një sasi e madhe pajisjesh elektroshtëpiake, të vjedhura në Greqi. Në mjetin e “doganiereve” u gjetën: 6 pajisje dixhitale magazinimi, 830 euro, 20.000 lekë të reja, 7 celularë, laptop dhe dokumente të ndryshme. Nga hetimet rezulton se mjetet e sekuestruara në kamionë janë vjedhur në Athinë.





