Ekstradohet nga Athina drejt vendit tonë një 22-vjeçar korçar i dënuar me 8 vite burg për “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Prishje të qetësisë publike”. Tri vite më parë, Klajdi Demçe, ka shtënë me automatik në mes të qytetit të Korçës, pasi kërkonte të gjente personin që e shqetësonte në mënyrë anonime në telefon.
I riu nga Korça u arrestua në Greqi si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën.
Ngjarja
Më datën 18.10.2013, shtetasi Klajdi Demçe, ka qenë në qytetin e Korçës së bashku me shokun e tij shtetasin V. SH. Gjatë kësaj dite, në telefonin e Klajdit vinin telefonata me numër të fshehur, ku ai fyhej dhe ofendohej nga disa persona të cilët i thoshin se ndodheshin në një lokal në Korçë.
Në këto kushte, ai është nisur së bashku me shokun e tij drejt lokalit dhe në afërsi të tij është telefonuar përsëri, duke iu thënë se ndodheshin në një lokal tjetër.
Klajdi në këtë kohë ka dalë nga makina, ka nxjerrë armën automatik dhe ka filluar të qëllojë në ajër. Ka hyrë në lokal dhe ka kërkuar të identifikojë personin, por nuk ka mundur. Më pas është larguar.