14 korrik 2015 – Ligji i ri për arsimin e lartë parashikon që nisur nga viti 2016, studentët nuk do të paguajnë më 2 tarifa për regjistrimin dhe shkollimin, por 4 të tilla. Këtë e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla teksa ishte duke prezantuar ligjin e ri përpara deputetëve në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave. Nikolla tha se ligji i ri parashikon 4 tarifa shkollimi: për aplikimin, konkurimin, regjistrimin dhe tarifën vjetore të shkollimit.
Ndërkaq, kjo pikë e ligjit nuk gjeti mbështetje nga deputetët e Ekonomisë dhe të Financave, të cilët u shprehën se 4 tarifa janë vështirësisht të përballueshme nga familjet shqiptare. Një pikë e dytë që nuk gjeti mbështetjen e deputetëve ka të bëjë me mënyrën e financimit të universiteteve. Drafti i ri përcakton se financimi i universiteteve nuk do të bëhet më në bazë të numrit të studentëve dhe të pedagogëve, por në bazë të cilësisë që ato ofrojnë. Në këtë pikë, deputetët theksuan se nuk mund të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë se në cilën degë do të studiojnë studentët.
Debatet
Deputeti socialist, Erion Braçe kundërshtoi draftin në pikën e shtimit të tarifave që do të duhet të paguajnë studentët. “Nuk ju duken shumë 4 tarifa? Cili do të jetë trendi i këtyre tarifave? Përcaktohen njëherë e mirë, do të jenë këto apo do të ndryshojnë në vite?”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë. Ministrja e Arsimit nga ana e saj, u shpreh se këto dy tarifa shtesë do të paguhen nga studentët në kuadër të të gjitha procedurave që do të realizohen në universitetet për konkurimin.
“Tarifa e aplikimit dhe tarifa e konkurimit janë vlerat monetare që paguan studenti për të gjitha procedurat që realizohen në universitete për konkurimin. Janë të pranueshme, janë modele që kështu funksionon ”, tha Nikolla.
Financimi i universiteteve
Universitetet nuk do të financohen më në bazë të numrit të studentëve dhe të pedagogëve, por Ministria e Arsimit, në draft-ligjin e ri parashikon që kjo të bëhet në bazë të disa kritereve të tjera. “Universitetet nuk do të financohen më sipas logjikës së ndarjes aritmetike, bazuar në numrin e studentëve dhe pedagogëve, por do të financohen në përputhje me standardet e cilësisë, që do të konfirmohen nga procesi i akreditimit dhe një seti treguesish sipas një kodi cilësie. Kjo mënyrë e re financimi, do të rrisë konkurencën dhe do të stimulojë punën dhe përpjekjet e universiteteve drejt standardeve të cilësisë. Shteti do të bëhet gjithnjë e më shumë garantues i cilësisë në çdo hallkë të sistemit”, tha Nikolla.
Katër tarifat për shkollimin:
1. Tarifë për aplikimin, vlera monetare që shlyen studenti për aplikim në një program studimi;
2. Tarifë për konkurimin, vlera monetare që shlyen studenti për të konkurruar pranë institucionit të arsimit të lartë për të fituar në një program studimi, në ato raste kur institucioni parashikon zhvillimin e konkursit;
3. Tarifë për regjistrimin, vlera monetare që shlyen studenti për t’u regjistruar në një program studimi;
4. Tarifë për shkollimin, vlera monetare që shlyen studenti për ndjekjen e një programi studimi pranë një institucioni për arsimin e lartë.
Neni 107/ Institucionet publike të arsimit të lartë financohen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) pagesat e studentëve për arsimim;
c) të ardhurat për shërbimet e kryera;
ç) të ardhurat e krijuara nga marrëdhëniet me palët e treta;
d) donacione dhe burime të tjera të ligjshme;
dh) veprimtari kërkimore-shkencore;
e) burime të tjera të ligjshme financimi;
ë) financime nga fonde speciale;
/Gazeta 'Sot' /