Dhuna në familje është shndërruar në një fenomen shqetësues për qarkun e Durrësit. Nga statistikat e policisë dhe ato të prokurorisë vihet re se është rritur numri i grave që denoncojnë pranë organeve të rendit bashkëshortët apo fëmijët e tyre për ushtrim dhune. Kështu mësohet se rreth 30 gra kanë denoncuar se janë dhunuar fizikisht e psikologjikisht prej bashkëshortëve, por edhe fëmijëve në harkun kohor të një muaji. Edhe pse numri i grave të dhunuara mund të jetë më i lartë, fakt pozitiv është ndërgjegjësimi i tyre për t’iu drejtuar organeve të rendit apo atyre të drejtësisë për t’i marrë nën mbrojtje.
Fenomeni duket se është më i zhvilluar në zonat periferike të qytetit bregdetar. Sipas policisë pothuajse të gjitha rastet e regjistruara së fundmi u përkasin zonave së Porto Romanos, Spitallës, Shkozetit, ish-Kënetës etj, zona këto që janë populluar vitet e fundit me banorë të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit e kryesisht ato veriore.
Tranzicioni dhe ndryshimet e përgjithshme shoqërore, papunësia, niveli i ulët i arsimimit dhe pabarazia gjinore, janë disa nga faktorët që kane ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës në familje.