Sikur të mos mjaftonte humbja në derbi, te Interi vuajnë edhe dëmtimet. Nicolo Barella nuk është stërvitur me skuadrën, pasi në sfidën ndaj Milanit u largua duke çaluar. Nga ekzaminimet mjekësore ka rezultuar se mesfushori ka pësuar tërheqje muskulare e cila pritet ta mbaj për disa javë jashtë fushave të lojës. Gjendja e tij do të rivlerësohet në orët e ardhshme, gjithsesi, për Barella besohet të ketë një periudhë mungesa tre-javore.
Periudhë që përkthehet në rikthimin e tij në fushë në mesin e muajit tetor, pikërisht pas ndeshjeve të kombëtareve në Ligën e Kombeve. Lajm vërtetë negativ për Simone Inzaghin që nuk do të llogarisë një prej elementëve kyç në skemat e tij. Në të tilla kushte, Barella do të humbasë ndeshjet e kampionatit kundër Udineses dhe Torinos dhe sfidat e Champions League kundër Crvena Zvezda.
Falë pushimit për shkak të angazhimeve të ekipit kombëtar, ai mund të jetë sërish i disponueshëm për ndeshjen në “Olimpico” kundër Romës më 20 tetor. Për zëvendësuesin e 27-vjeçarit do ketë një balotazh mes Zielinski dhe Fratessi, me këtë të fundit që shihet më i avantazhuar për shkak edhe të minutave më të shumta këtë sezon.