"Gjashtëmujori i parë i 2018-s ka njohur fluks në rritje të emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar kufirin shqiptar, ndërsa në pikat kufitare ka mungesa në logjistikë. Shteti shqiptar nuk ka kapacitetet për të ushtruar kontrolle në të gjithë kufirin e gjelbër". Konkluzionet janë bërë të ditura nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit pas monitorimit dyditor në të gjitha pikat kufitare në jug të vendit.

Eria Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e KSHH-së, paraqiti të dhënat paraprake të këtij monitorimi, duke theksuar se ende nuk ka informacion për shifrën e saktë të emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve që kanë hyrë në Shqipëri nga kufiri grek.

Ndërsa janë konstatuar shkelje nga të dyja palët, greke dhe shqiptare, në respektimin e të drejtave të emigrantëve dhe personave të tjerë që kalojnë kufirin.

“Pika kufitare e Kakavijës ka refuzuar të japë statistika për hyrjet e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri grek, duke e klasifikuar si informacion të rezervuar. Kjo është shkelje e marrëveshjes së KSHH-së me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë”, u shpreh ajo.

Komiteti shqiptar i Helsinkit ka veçuar fenomenin e shtimit të numrit të azilkërkuesve të huaj në Shqipëri, ndërkohë që qëllimet janë të njëjta, pasi Shqipëria vijon të mbetet një vend tranzit për klandestinët nga vendet e treta.

“Nëse vitet e kaluara këta shtetas kalonin tranzit dhe kërkonin azil në vendet e BE-së, tashmë ata kërkojnë azil në Shqipëri për ta lënë atë në mes dhe më pas të kalojnë në vendet e BE. Rezulton që një pjesë e klandestinëve nuk e kanë kërkuar në mënyrë të shprehur azilin dhe janë kthyer në Greqi.

Me standardet ndërkombëtare, Policia shqiptare nuk duhet të operojë kthimin e tyre, por shteti ynë duhet t’u japë mbrojtje këtyre shtetasve”, ka pohuar drejtoresha e Komitetit shqiptar të Helsinkit. Konkluzionet paraprake të Komitetit Shqiptar të Helsinkit theksojnë se kapacitet infrastrukturore në pikat kufitare në vend janë të kufizuara, ndërsa vihen re mungesa jo vetëm në personel, por edhe në logjistikë.

“Përkthyesi, psikologu apo mjeku nuk janë pjesë e organikës. Konkluzioni përfundimtar i tyre është se shteti shqiptar nuk ka kapacitet e trajtimit të një fluksi të madh klandestinësh”, theksoi Skëndaj.