2 vite pandemi Covid-19 kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale.
Shefja e repartit të onkologjisë në Spitalin Rajonal Durrës, Manjola Luzi, bën të ditur se në jo pak raste është konstatuar se pacientët janë paraqitur në stade të avancuara të sëmundjes, duke e bërë thuajse të pamundur kurimin e saj. Por një fakt tjetër shqetësues, por ende i paprovuar shkencërisht, janë deklaratat e disa pacientëve që pretendojnë se sëmundja e kancerit u është shfaqur pas kalimit të Covid-19.
Gjatë vitit që lamë pas, janë konstatuar pranë klinikës onkologjike në spitalin e Durrësit 149 raste të reja me sëmundje tumorale, por kjo sipas onkologes Luzi nuk është shifra reale, për shkak të disa faktorëve. Sipas saj, shqetësim mbetet shfaqja e sëmundjeve tumorale në moshat e reja, fenomen që konstatohet vitet e fundit.
Mungesa e kontrolleve periodike mbetet shkaku kryesor pse shumë pacientë shfaqen në dyert e mjekëve në gjendje të rënduar shëndetësore dhe në stade të avancuara të sëmundjes.
Sëmundjet tumorale mbeten shkaktari nr.2 i vdekshmërisë, pas atyre kardiovaskulare. Në popullatë, llojet më të përhapura të kancerit mbeten ai i gjirit, i traktit gastro-intestinal, i mushkërive etj.
M.B.